FLASH :

Inter, dështimi i Tripletës: Taremi dhe Asllani “djegin” edhe shansin e fundit

Interi humbi edhe një mundësi të artë për të ndryshuar rrjedhën e historisë së këtij sezoni. Në derbin kundër Milanit, zikaltërit zhvilluan ndoshta 90 minutat më të dobëta të gjithë kampionatit, duke i dhënë fund ëndrrës për Tripletën. Një ndeshje ku u duk qartë se pas titullarëve, stoli nuk ishte në lartësinë e duhur.

Në këtë tablo të zymtë, dy emra dolën më shumë në pah: Mehdi Taremi dhe Kristjan Asllani. Dy lojtarë që kishin një mundësi të artë për të lënë gjurmë, por që në vend të kësaj u bënë fytyra e disfatës.

Taremi, një investim që dështoi

Me pritshmëri të mëdha u transferua Mehdi Taremi te Interi verën e kaluar, si alternativa e besueshme për duon Lautaro-Turam. Një lojtar me eksperiencë dhe karakteristika që premtuan shumë, por që në fushë nuk dhanë asgjë.

Problemet fizike ishin një pjesë e historisë – pupalgjia i shkatërroi vitin 2025 – por jo e gjitha. Me vetëm 3 gola të shënuar deri në fund të prillit, dy prej të cilëve me penallti, impakti i iranianit është praktikisht zero. Në hierarki, ai ka rënë pas Arnautoviçit dhe Korreas, dhe Simone Inzagi tashmë vetëm shpreson për ndonjë mrekulli në ndeshjet e mbetura.

Në të vërtetë, fati i Taremit duket i vulosur: në verë do të largohet. Me një rrogë prej 3 milionë euro në vit dhe kontratë deri në 2027, do të jetë e vështirë të gjendet një klub që do ta marrë me këto kushte. Një operacion që Interi është i vendosur të mos e përsërisë më: investime tek lojtarë 33-vjeçarë nuk janë më në plan.

Asllani, një premtim që nuk u realizua

Edhe Kristjan Asllani, i konsideruar dikur si “ylli i së ardhmes” në mesfushë, duket se po i afrohet fundit të aventurës së tij zikaltër. I blerë në vitin 2022 për 14 milionë euro, shqiptari nuk ka arritur asnjëherë të bindë plotësisht.

Pas tre sezonesh, progresi i tij është i pakët. Diferenca mes Çalhanoglusë dhe Asllanit është e theksuar dhe limitet e lojës së tij janë bërë të dukshme. Ngathtësia në vendimmarrje dhe vonesa në ndërtimin e aksioneve janë kthyer në pengesa të pakapërcyeshme.

Në derbin ndaj Milanit, Inzagi u përpoq ta udhëzonte gjatë gjithë pjesës së parë, por në fillimin e pjesës së dytë u dorëzua, duke e zëvendësuar menjëherë. Një tjetër shans i humbur për Asllanin – dhe ndoshta një ndër të fundit në këtë sezon.

Fundi i një ëndrre

Interi kishte ëndërruar Tripletën një vit pas fitimit të yllit të dytë në fanellë. Por realiteti i stolit të dobët dhe dështimet e lojtarëve si Taremi dhe Asllani i shuan ato shpresa. Ndryshimet në skuadër në verë tashmë duken të pashmangshme.