Turizmi në Shqipëri po vijon një trend të fuqishëm rritës, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë nga rajoni, Evropa dhe vende të tjera të botës. Të dhënat më të fundit të INSTAT për muajin qershor 2025 tregojnë një rritje të ndjeshme si në numrin e mbërritjeve, ashtu edhe në netët e qëndrimit krahasuar me një vit më parë.
Gjatë kësaj periudhe, në vend hynë rreth 501 mijë vizitorë, çka përbën një rritje prej 37.2% në krahasim me qershorin 2024. Vizitorët rezidentë u shtuan me 38%, ndërsa ata të huaj me 38.3%. Rritja është reflektuar edhe në qëndrimet më të gjata, pasi numri i netëve të kaluara në struktura akomoduese u rrit me 38.2%.
Destinacionet bregdetare mbetën më të preferuarat, duke shënuar një rritje prej 35% në rezervimet e hoteleve dhe strukturave të ngjashme. Megjithatë, edhe rajoni qendror i vendit regjistroi një prurje të lartë turistësh, duke tërhequr më shumë vizitorë se çdo zonë tjetër.
Sa i përket origjinës së vizitorëve të huaj, Kosova mban vendin e parë me 19% të totalit, e ndjekur nga Italia me 13%, Polonia me 8%, Gjermania me 8% dhe Franca me 6%. Në tërësi, vizitorët nga vendet e tjera europiane përbëjnë 44% të mbërritjeve ndërkombëtare.
Një tjetër tregues pozitiv është edhe norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele, e cila arriti në 39.5%, kundrejt 35.9% që ishte në qershor të vitit të kaluar. Kjo rritje dëshmon për një përdorim më të madh të kapaciteteve akomoduese dhe për një sezon turistik që po shfaqet gjithnjë e më premtues.