FLASH :

Informaliteti, rrënuesi i padukshëm i ekonomisë shqiptare

Kur dëgjojmë lajmet për ekonominë shqiptare, shpesh flitet për rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Por a tregon vërtet kjo shifra se si po ecën ekonomia jonë? Në vitin 2024, Shqipëria ka pasur një rënie të rëndësishme të eksportit të mallrave me rreth 15.4% që nuk shfaqet drejtpërdrejt në PBB. Kjo rënie është shqetësuese, sepse nuk ka të bëjë me ulje të kërkesës globale, por me probleme të brendshme strukturore të ekonomisë shqiptare.

Është një tregues që do të alarmonte çdo qeveri dhe çdo shoqëri që e lidh mirëqenien me prodhimin dhe shitjen jashtë. Por a u fol për këtë me seriozitetin që meriton? Jo shumë. Sepse PBB-ja nuk e tregoi kaq qartë këtë goditje. Por pse po bien eksportet? Kushdo që ka lidhje me biznesin i di arsyet. Sepse punishtet tona kanë teknologji të vjetra. Prodhimi ynë kushton shtrenjtë për shkak të energjisë, taksave dhe burokracive. Bizneset tona të vogla e kanë të vështirë të jenë konkurruese në tregjet europiane. Kjo nuk ka lidhje me ndonjë krizë globale. Problemi është te ne.

Një pjesë e madhe e ekonomisë shqiptare është informale. Më shumë se 30% e aktiviteteve ndodhin jashtë syve të shtetit. Pa fatura, pa TVSH, pa sigurime, pa kontrata. Pra, kur dëgjojmë se “ekonomia shqiptare po rritet”, në të vërtetë po flasim për atë copën që shihet. Copën tjetër, ekonominë në të zezë, nuk e mat asnjë shifër. Kjo do të thotë se kemi më pak punësim të siguruar. Shumë njerëz punojnë pa kontrata, pa sigurime, pa pension. Do të thotë më pak taksa për shtetin. Kur bizneset nuk deklarohen, qeveria mbledh më pak para për shkolla, spitale, rrugë. Do të thotë më pak investime nga jashtë. Kush do të vijë të hapë fabrika në një vend ku nuk dihet kush paguan taksa e kush jo, kush deklaron dhe kush fsheh?

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria?
Nuk mjafton më të kemi vetëm politika që rrisin PBB-në në letër. Ne kemi nevojë për thjeshtim të taksave dhe lehtësira për bizneset e vogla, që të kenë mundësi të hyjnë në tregun formal pa u mbytur nga burokracia. Digjitalizim dhe transparencë në çdo pagesë dhe deklarim, që askush të mos ketë frikë nga shteti, por as të mos e shmangë atë. Kemi nevojë sidomos për inspektime e kontrolle të ndershme, jo për gjoba, por për të edukuar dhe formalizuar. Stimulime dhe shpërblime për ata që zgjedhin të deklarojnë gjithçka dhe punësojnë me kontrata.
Nëse duam një Shqipëri ku të rinjtë mos të ikin, duhet të ndërtojmë një ekonomi që punon për njerëzit, jo vetëm për statistikat. Një ekonomi ku rritja matet jo vetëm me PBB, por me cilësinë e jetës, sigurinë e punës dhe të ardhmen që ndërtojmë për fëmijët tanë. Sepse në fund, shifrat janë të bukura në letër, por jetesa jonë matet me realitetin e përditshëm.