FLASH :

India dhe Pakistani në prag lufte: Turistët masakrohen në Kashmir, kërcënime me arsenal bërthamor

Tensionet mes dy fuqive bërthamore, Indisë dhe Pakistanit, kanë arritur një pikë kritike pas një sulmi brutal ndaj turistëve indianë në Kashmirin e kontrolluar nga India, ku humbën jetën 26 vetë – mes tyre edhe një vizitor nga Nepali. Qeveria indiane e ka përshkruar ngjarjen si një akt terrorist dhe akuzon Pakistanin për bashkëpunim të drejtpërdrejtë në këtë masakër.

Në përgjigje, India ka urdhëruar dëbimin e të gjithë shtetasve pakistanezë nga territori i saj, me afat largimi deri më 27 prill, dhe ka pezulluar menjëherë dhënien e vizave për qytetarët e vendit fqinj. Pakistani reagoi me masa reciproke, duke mbyllur hapësirën e tij ajrore për linjat ajrore indiane, duke dëbuar diplomatët indianë dhe duke pezulluar Marrëveshjen Simla – traktatin më të rëndësishëm të paqes mes dy vendeve.

Sipas mediave indiane, grupi islamik Fronti i Rezistencës (TRF) ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por ende mungon një konfirmim zyrtar. Autoritetet indiane thonë se dy nga sulmuesit ishin shtetas pakistanezë.

Kryeministri indian Narendra Modi ka paralajmëruar hakmarrje të ashpër, duke theksuar se përgjegjësit “do të ndëshkohen më rëndë sesa mund ta imagjinojnë”. Ai e cilësoi sulmin si një goditje ndaj “shpirtit të Indisë” dhe premtoi se “do t’i ndjekim deri në fund të botës”.

Në një tjetër akt agresiv, India ka pezulluar një marrëveshje të rëndësishme për ndarjen e ujit të lumenjve me Pakistanin. Qeveria e Islamabadit ka reaguar ashpër, duke paralajmëruar se një veprim i tillë do të konsiderohej “akt lufte” dhe do të përballej me “arsenalin e plotë të fuqisë kombëtare”.

Ekspertët e sigurisë dhe diplomacisë paralajmërojnë për një përshkallëzim të rrezikshëm që mund të çojë në konflikt të hapur mes dy vendeve. Michael Kugelman, ekspert për Azinë Jugore, thekson se pezullimi i marrëveshjes për ujin është një precedent i rrezikshëm dhe i paparë më parë.

Kashmiri, një rajon i ndarë që nga viti 1947, mbetet një pikë e nxehtë që ka çuar në dy luftëra mes Indisë dhe Pakistanit. Sot, bota është sërish me sytë nga Himalajet, me frikën e një përplasjeje që mund të ketë pasoja katastrofike globale.