FLASH :

Indeksi/ Si na zhvasin Vodafone dhe One, shqiptarët paguajnë tarifat më të shtrenjta në Evropë

Për të tretin vit me radhë, qytetarët shqiptarë po paguajnë më shumë për shërbimet e komunikimit, në një treg që po përqendrohet gjithnjë e më shumë në pak duar. Është Qëndresa Qytetare ajo që ngre sot shqetësimin për situatën alarmante të këtij sektori, duke theksuar se shqiptarët janë ndër më të zhvaturit në Evropë, si për ushqimet, ashtu edhe për telefoninë dhe internetin.

Sipas Eurostat, në vitin 2024, indeksi i çmimeve për shërbimet e komunikimit në Shqipëri ishte 2.7% mbi mesataren e BE-së, duke e renditur vendin tonë në krye të listës për kostot e larta. Kjo ndodh ndërkohë që në treg veprojnë vetëm dy operatorë celularë – Vodafone dhe One, nga katër që ishin dikur, duke e zbehur konkurrencën dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve.

Raporti vjetor i AKEP për vitin 2024 tregon se të ardhurat e këtyre dy kompanive kryesore u rritën me 10% krahasuar me një vit më parë, duke kapur një rritje prej 20 milionë eurosh, ndonëse numri i kartave aktive ka rënë me 126 mijë ose 4.8%. Kjo rritje e fitimeve, e kombinuar me rënie të përdoruesve, ka sjellë një rritje prej 15.6% të të ardhurave mesatare për përdorues, duke reflektuar rritje të drejtpërdrejtë të tarifave për konsumatorët.

Në këtë kontekst, Qëndresa Qytetare kërkon nga AKEP që të ndërhyjë me masa konkrete për të monitoruar dhe rregulluar tregun, i cili po shfaq të gjitha shenjat e një oligopoli të qëndrueshëm, në dëm të konsumatorit shqiptar, ku Vodafone dhe One dominojnë pa konkurrencë reale.