Vjen dënimi i tretë për ish-ministrin dhe deputetin e PS-LSI. GJKKO i jep fund procesit dhe shpall fajtor Lefter Kokën, pas Fierit dhe Elbasanit, edhe për Tiranën. Dënohet me 3 vite, por i ulet një e treta pas gjykimit të shkurtuar. Shpallen fajtorë edhe 6 tëpandehurit e tjerë të dosjes, njëri përfiton pafajësinë. Dy dënime kthehen në shërbim prove, 4 masa sigurie shuhen, edhe 5 vite jashtë funksioneve publike. Pavarësisht verdiktit të sotëm, Koka dhe Tushe mbeten në burg për çështjet e tjera
TIRANË– Gjykata e Posaçme ka dhënë në total 15.6 vite burg për dosjen e Inceneratorit të Tiranës. Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është dënuar me 3 vite burg, ndërsa fajtorë u shpallën edhe 6 të tjerë, ndërsa vetëm njëri prej tyre Jetmir Llapaj merr pafajësinë.
Koka mori 3 vite burg, por nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 2 vite, ndërkohë që tashmë dënimi konsiderohet i shlyer vetëm për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Në përfundim, duke përllogaritur kohën e paraburgimit dhe çështjes së arrestit, GJKKO vendosi shuarjen e masës së sigurisë për këtë dosje. Koka do qëndrojë edhe 5 vite larg çdo funksioni publik, por ndërkohë mbetet në qeli për shkak të dënimit për inceneratorin e Elbasanit me 6.8 vite burg dhe rigjykohet për Fierin.
Për Kokën dhe 3 të tjerë, masat u shuan pasi dënimi konsiderohet i vuajtur, për 2 nga të akuzuarat femra dënimi u kthye në shërbim prove dhe punë në komunitet publik. Gjithashtu zyrtarët, mes të cilëve edhe ish-drejtori Taulant Tushe i Bashkisë së Tiranës, do qëndrojnë për 5 vite jashtë funksioneve publike.
Dënimet e dhëna nga GJKKO për 6 të tjerët
Me nga 3 vite burg u dënuan Bledar Karoli ish-anëtar i komisionit, Fatjon Murati ish-anëtar i komisionit, Taulant Tushe, ish-anëtar i komisionit, Namik Simixhiu ish-anëtar i komisionit. Për shkak se përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar, masat shuhen edhe për Bledar Karolin, Namik Simixhiun dhe Taulant Tushen. Ky i fundit do të vijojë të qëndrojë në qeli për shkak të masës së sigurisë arrest me burg edhe në dosjen 5D.
Drejtoresha juridike, Valbona Ballgjini u dënua me 2 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar i konvertohet në shërbim prove. Ndërkohë, ish-anëtarja e komisionit, Sidita Kopliku u dënua me 1 vit e 6 muaj burg dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar i konvertohet në punë në të mirë publike. Të dyja nuk kanë të drejtë të ushtrojnë funksione publike për 5 vite. Ish–punonjës i QKB, Jetmir Llapaj shpallet i pafajshëm.
Vendimet i Gjykatës së Posaçme
-Lefter Koka, 3 vite burg, 2 me gjykim të shkurtuar, i shuhet masa e sigurisë, 5 vite larg funksioneve publike
-Bledar Karolin 3 vite burg, 2 vite me gjykim të shkurtuar, i shuhet masa e sigurisë, 5 vite larg funksioneve publike
-Taulant Tushe, 3 vite burg, me gjykim të shkurtuar 2 vite, 5 vite ndalim nga funksionet publike, i shuhet masa
-Namik Simixhiu, 3 vite burg, 2 vite me gjykim të shkurtuar, shuhet masa e sigurisë, 5 vite jashtë funksioneve publike
-Valbona Ballgjini, 2 vite burg, me gjykim të shkurtuar i konvertohet në shërbim prove
-Sidita Kopliku, 1 vit e 6 muaj burg, 1 vit me gjykim të shkurtuar, konvertohet në punë në të mirë publike, 5 vite pa të drejtë funksionesh publike
-Fatjon Murati, 3 vite burg, me gjykim të shkurtuar 2 vite, 5 vite ndalim nga funksionet publike
-Jetmir Llapaj u shpall pafajësia
Për këtë dosje vijon gjykimi për 4 të pandehur që nuk kanë pranuar gjykim të shkurtuar. Gjyqi i zakonshëm në Gjykatën e Tiranës do të vijojë për Silena Tola, Etleva Kondi, Alba Thoma dhe Pëllumb Abeshi. Për inceneratorin e Tiranës, ish deputeti socialist Alqi Bllako njëherësh sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit është ndarë më vete. Kjo për shkak se, Bllako akuzohet për një tjetër vepër penale, atë të korrupsionit. Çështja ndaj tij është në fazën e dhënies së konkluzioneve nga ana e prokurorisë.
Dosja e inceneratorit të Tiranës
SPAK i akuzoi 12 të pandehurit për veprime të kundërligjshme në procedurën e lidhjes së kontratës së koncesionit të gushtit 2017, me objekt “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë ”. Kontrata u lidh mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k., me kosto investimi të parashikuar nga shoqëria, në vlerën 128.2 milionë Euro pa TVSH.
Sipas SPAK, para nisjes së procedurave 7 anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit në bashkëpunim me ish-ministrin Koka, kanë propozuar dhënien e burnusit pa një raport të kostove të projektit. Nga ish-ministri Koka, drejtoresha juridike Alba Thoma e përgjegjësi i prokurimeve Bledar Karoli u bë dhe u dërgua projektvendimi në Këshillin e Ministrave për dhënien e bonusit prej 8% të pikëve totale të garës shoqërisë propozuese.
Nga hetimet ka rezultuar se shoqëria propozuese “Integrated Energy BV”, në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria e biznesmenit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services”, ka qenë në dijeni të rrethanave konkuruese para se të shpallej procedura. Prokuroria thotë se kjo ka ndodhur në sajë të ndihmës së dhënë nga vetë funksionarët e Ministrisë së Mjedisit, që e kanë pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte para dhe gjatë procedurës koncesionare, me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie.
Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të akuzuar si organizatorët e aferës së incineratorëve të Elbasanit, Fierit e Tiranës, janë aktualisht në arrati pasi kërkohen nga drejtësia shqiptare për korruptimin e një numri zyrtarësh të lartë, përfshirë ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako, ndërsa së fundmi, nën akuzë përfundoi edhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.