FLASH :

Iluzioni i bombave të zgjuara: Pse fushata ajrore e Izraelit ndaj Iranit është e destinuar të dështojë

Prej më shumë se një jave, Izraeli ka ndërmarrë një fushatë intensive ajrore ndaj Iranit me objektiva ekstremisht ambicioze: shkatërrimin e programit bërthamor iranian dhe rrëzimin e regjimit në Teheran – pa dislokim ushtarak në terren dhe pa mbështetje të drejtpërdrejtë nga SHBA. Por sipas profesorit të njohur të shkencave politike, Robert A. Pape, kjo strategji nuk ka precedent modern të suksesshëm dhe rrezikon jo vetëm të dështojë, por të përkeqësojë situatën rajonale duke çuar në një Iran më të rrezikshëm, ndoshta të armatosur me armë bërthamore.

Pavarësisht suksesit në eliminimin e komandantëve të Gardës Revolucionare dhe dëmtimit të disa strukturave bërthamore, Izraeli përballet me tre pengesa madhore: strukturat thellësisht nëntokësore si Fordow dhe Natanz, rrezikun radiologjik që do shkaktonte goditja e reaktorit të Bushehrit, si dhe mungesën e të dhënave të besueshme për dëmet reale në terren. Madje, edhe nëse SHBA do bashkohej me bombardime dhe përdorte bombat e saj të fuqishme kundër bunkerëve, nuk do kishte garanci për shkatërrimin total të programit, pasi Irani do kishte ende kapacitete për t’u riorganizuar fshehurazi.


Shpresat për ndryshim regjimi: një strategji e gabuar historikisht

Ndërsa Netanyahu lëshon deklarata për “dobësimin e regjimit iranian”, ideja se fushata ajrore mund të shkaktojë rrëzim regjimi rezulton iluzore. Historikisht, përdorimi i bombardimeve për të nxitur kryengritje popullore nuk ka sjellë ndryshim pushteti në asnjë prej mbi 40 rasteve të bombardimeve strategjike që nga Lufta e Parë Botërore. Edhe me teknologjinë moderne, tentativat për të vrarë liderë si Gadafi apo Sadam Huseini nga ajri kanë rezultuar të pasuksesshme ose kanë shkaktuar pasoja të paparashikuara.

Izraeli, ndryshe nga SHBA në Afganistan apo Libi, nuk ka as kapacitetet dhe as vullnetin për një pushtim tokësor që mund të siguronte përmbysjen e regjimit iranian. Madje, çdo përpjekje për të instaluar një regjim pro-izraelit në Teheran do të përballej me një valë të fuqishme nacionalizmi – një reagim i natyrshëm ndaj ndjenjës së pushtimit të huaj. Kjo do ta përforconte më shumë legjitimitetin e regjimit aktual, duke e bërë atë më agresiv dhe më të vendosur për të përfunduar programin bërthamor.


Rreziku i një quagmire të re në Lindjen e Mesme

Nëse Izraeli vazhdon i vetëm, pa ndërhyrje amerikane, do përballet me një Iran më të ashpër dhe më të paparashikueshëm, që mund të çojë përfundimisht në një konflikt të gjatë dhe të pamenaxhueshëm. Aktualisht, lufta po shndërrohet në një “luftë qytetesh” mes Tel Avivit dhe Teheranit, me pasoja të tmerrshme për popullatën civile dhe pa ndonjë zgjidhje të dukshme në horizont. E vetmja shpresë për të shmangur një përshkallëzim të madh që përfshin edhe SHBA mbetet vetëpërmbajtja e Iranit. Përndryshe, Izraeli rrezikon të ngecë në një tjetër kurth të smart-bombave — një luftë me synime të mëdha, por pa zgjidhje reale.