FLASH :

Ilir Proda i bandave shkrin komisariatin në Tiranë, pasi i arrestuan mikun kriminel

Një operacion i zhvilluar mbrëmjen e 3 prillit nga Komisariati Nr. 2 në Tiranë çoi në arrestimin e Altin Morinës, ish-pjesëtar i forcave RENEA, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve të koduara si “Revansh”, të nisura pas përgjimeve nga aplikacioni SkyECC.

Sikurse shkruan Zoom.al, Ky arrestim ka sjellë lëkundje të forta në Policinë e Shtetit, duke kulmuar me shpërbërjen e të gjithë strukturës drejtuese të Komisariatit Nr. 2. Sipas burimeve, Altin Morina, që njihet për lidhjet e tij të afërta me figura të krimit të organizuar, ka qenë gjithashtu mik i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda.

Burime pranë organeve hetimore tregojnë se pas arrestimit të Morinës, drejtori Proda ka reaguar menjëherë me masa drastike, duke shkarkuar shefin e komisariatit, shefin e sektorit të krimeve dhe disa efektivë të tjerë që morën pjesë në aksion. Këto lëvizje kanë shkaktuar shqetësim të thellë në radhët e trupës policore, ndërsa agjentët civilë të përfshirë në operacion janë vënë në rrezik të drejtpërdrejtë për shkak të identifikimit të tyre publik.

Skandali thellohet më tej me rolin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila jo vetëm që nuk ka mbajtur qëndrim në mbështetje të efektivëve që realizuan arrestimin, por – sipas burimeve – ka deleguar vetë drejtorin e AMP-së së Tiranës, Franc Ndoji, për të ushtruar presion ndaj agjentëve të mbetur në komisariat që të lënë detyrën.

Franc Ndoji, që gjithashtu njihet për lidhje të afërta me Altin Morinën, ka qenë më parë nën hetim në çështje të tjera për huadhënie me fajde dhe menaxhim të paligjshëm të lojërave të fatit në Tiranë, Fushë-Krujë dhe Shkodër – akuza që sipas raportimeve e kanë lidhur atë me grupe të strukturuara kriminale.

Analistë të sigurisë shprehen se ndërhyrje të tilla minojnë rëndë moralin e punonjësve të ndershëm të policisë dhe dërgojnë një sinjal të gabuar për luftën ndaj krimit të organizuar, duke shtuar dyshimet për lidhje të mundshme të zyrtarëve të lartë me persona të botës së errët të krimit.