FLASH :

Lapaj ‘djeg’ mandatin dhe sfidon Shabanin për t’i dhënë fund telenovelës së koalicionit.

Adriatik Lapaj i ka bërë një ftesë të hapur për kompromis politik Endrit Shabanit, vetëm pak orë para se KQZ të vendosë për shpërndarjen e mandatit të vetëm të koalicionit “Shqipëria Bëhet” në Qarkun e Tiranës. Ai i kërkon Shabanit që të dorëhiqen të dy nga pretendimi për mandate, që ai t’i kalojë gruas më të votuar të listës së hapur, Greta Ambeli.

“Unë, Shabani dhe Soko të ikim. Le ta marrë Greta Ambeli! S’do bëjmë deputet dajo Zeqirin,” deklaroi Lapaj, duke iu referuar përpjekjeve që, sipas tij, po bëhen për ta kaluar mandatin tek Zeqir Kordhoni, daja i Shabanit, ose tek Kleana Xhuveli – kushërira e tij që ka kërkuar të mos i njihet dorëheqja.

Lapaj pretendon se përçarja me Shabanin i ka kushtuar vendin në parlament. Ai thotë se dorëheqjen e ka dhënë që pas ditës së zgjedhjeve të 11 majit, por për shkak të ambicieve të Shabanit, kjo nuk është zbatuar. “Z. Shabani kërkon që mandati të shkojë tek ai dhe jo tek më e votuara e listës së hapur”, theksoi Lapaj.

Ai shton se përpjekjet për të çuar mandatin drejt njerëzve të afërt me pushtetin janë të dukshme: “Duhet që mandati të shkojë për ku është hedhur vota, jo te dajo Zeqiri që e çon te Rama. Kryeministri këtë ka dy muaj që po kërkon,” akuzoi Lapaj.

Në anën tjetër, Endri Shabani reagoi duke publikuar marrëveshjen e koalicionit dhe theksoi se pretendimi i dajës së tij për mandatin nuk bie në kundërshtim me dokumentin e firmosur. Në mungesë të një marrëveshjeje të re, mandati pritet t’i kalojë Kleana Xhuvelit, për shkak se KQZ ende nuk ka vendosur për vlefshmërinë e dorëheqjeve të dhëna më 11 maj, përpara numërimit të votave.

Lapaj ka kërkuar që KQZ të marrë një vendim në favor të djegies së listës së mbyllur, duke e cilësuar këtë si një vendim që respekton vullnetin e votuesve dhe jo interesat personale apo familjare. Ai ka paralajmëruar se nëse KQZ nuk reagon brenda afatit 30-ditor, dorëheqjet duhet të konsiderohen të pranuara “në heshtje”.

Sipas tij, koalicioni me Shabanin u ndërtua jo për vota, por për të dërguar një mesazh kundër sistemit. “Nga sondazhet, Shabani nuk kishte më shumë se 0.2%. Nuk e bëmë këtë për karrige, por për frymë. Por tani, duan ta kthejnë në lojë për interesa personale,” tha ai.

Lapaj zbuloi gjithashtu se Shabani ka kërkuar të drejtojë koalicionin për dy vite, të kandidojë për bashkinë e Tiranës dhe të përfitojë fond prej 30 milionë lekësh për drejtimin politik të tij, kërkesa që ai vetë i kishte lënë në pritje derisa të certifikoheshin zgjedhjet.

Tashmë, e gjithë çështja është në duart e KQZ-së, e cila në mbledhjen e të mërkurës do të vendosë se kush do të marrë mandatin e vetëm të “Shqipëria Bëhet” – një vendim që pritet të mbyllë edhe sagën politike mes Lapajt dhe Shabanit.