Edhe pse një nga pak gjërat e mira që bëri ish-ministrit i Brendshëm Saimir Tahiri, ishte aplikacioni “Komisariati Digjital”, ku policia reagonte në kohë të shpejtë ndaj denoncimeve të qytetarëve dhe u gjente zgjidhje, pasi ky aplikacion u la qëllimisht në kolaps teknologjik 2 vitet e fundit, tashmë ministri i ri i brendshëm Ervin Hoxha, na erdhi me zgjidhjen për të bërë një aplikacion të ri që e zëvendëson.
Sipas Komisionerit Digjital “Ajo që e veçon këtë aplikacion nga platformat e mëparshme është se ai do të mbikqyret dhe administrohet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), duke garantuar kështu një trajtim më të besueshëm dhe të paanshëm të çdo ankese apo denoncimi”.
Por kjo nuk shpjegon se përse aplikacioni i mëparshëm i Komisariatit Digjital nuk mund të administrohej direkt nga AMP, pa shpenzuar dhjetëra dhe qindra mijëra euro që shpenzohen zakonisht për aplikacione të tilla dhe mirëmbajtjen e tyre.
“Rikthimi i kësaj platforme vjen si përgjigje ndaj kërkesës në rritje të qytetarëve për mjete efikase të raportimit dhe mbikëqyrjes, në një kohë kur besimi ndaj institucioneve publike është sfiduar nga raste të shumta abuzimi apo keqtrajtimi” – vijon më tej Komisioneri Digjital në përpjekje për të justifikuar nevojën fiktive për të shpenzuar para nga taksat e qytetarëve për të bërë një aplikacion të ri, kur fare mirë mund të ishte përsosur i mëparshmi, suksesi i të cilit nuk ishte vënë kurrë në dyshim.