Gjiganti suedez i mobilieve IKEA ka njoftuar mbylljen e disa prej dyqaneve të tij të vogla të konceptit Plan & Order Points në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, ndërsa përballet me ndryshime në sjelljen e konsumatorëve dhe sfida të tregut global. Dy dyqanet në Liverpool dhe Stockport janë mbyllur javën e kaluar, ndërsa pika në Long Beach të Kalifornisë do të mbyllet përfundimisht këtë të diel.
Këto njësi të vogla, të hapura që prej vitit 2023, ofronin hapësira të personalizuara për takime me dizajnerë dhe porositje të mobilieve, por sipas kompanisë, ato nuk po përputhen më me kërkesat e reja të klientëve që preferojnë blerjet online dhe shërbime më të shpejta si Click and Collect dhe kthime në vend.
“Mungesa e mbështetjes për këto nevoja e ka bërë të vështirë funksionimin e këtyre dyqaneve,” tha një zëdhënës i IKEA për TheStreet.
Mbylljet vijnë gjithashtu në një moment të ndjeshëm për markën, pasi IKEA u përball me reagime negative në rrjet pas një postimi të diskutueshëm për Pashkën Hebraike. Megjithatë, kompania nuk po ndalet nga planet për zgjerim: javën e kaluar u hap një dyqan i ri Plan & Order në Pensilvani, dhe një tjetër pritet të hapet në Maryland muajin e ardhshëm. Gjithashtu, janë në ndërtim disa dyqane të mëdha në Teksas dhe Arizona, që do të hapen deri në vitin 2026.
Pavarësisht se të ardhurat në SHBA ranë nga 6.3 miliardë dollarë në vitin 2023 në 5.5 miliardë dollarë në 2024, IKEA mbetet një lojtar i fuqishëm në treg, më i qëndrueshëm sesa konkurrentë si Macy’s dhe JCPenney, të cilët po përballen me mbyllje masive dyqanesh.
Ekspertët si Neil Saunders nga GlobalData theksojnë se dyqanet Plan & Order ndihmojnë në mbulimin e zonave ku nuk ka pika të mëdha IKEA, dhe janë të rëndësishme për shërbime ku kërkohet kontakt i drejtpërdrejtë, si dizajnimi i kuzhinave.
Përkundër mbylljeve, IKEA duket se po ripozicionon strategjinë e saj, duke qëndruar besnike vizionit afatgjatë për të qenë afër konsumatorit modern – me më shumë fleksibilitet dhe qasje digjitale.







