FLASH :

I shpëtoi vdekjes kur ishte 8 vjeç, historia prekëse e Gabrielit që vdiq në Peqin

Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti tragjik që tronditi qytetin e Peqinit, ku humbën jetën dy të rinj, Gabriel Lluca dhe Denis Korbi, të dy 24-vjeç.

Gabrieli i cili humbi jetën bashkë me shokun e tij kishte një histori mbijetese të jashtëzakonshme.

I riu në moshën 8-vjeçare kishte shpëtuar nga një aksident i rëndë pranë shkollës “Demir Godelli” në Peqin, ku edhe jetonte. Në atë aksident të kaluar, automjeti i kishte shkaktuar plagë dhe fraktura të shumta, por ai kishte dalë fitimtar nga përballja me vdekjen.

Por fatkeqësisht, në mesnatën e së dielës, Gabrieli humbi jetën në një aksident tjetër të rëndë automobilistik në hyrje të qytetit të Peqinit. Makina ku ai udhëtonte me Denisin doli nga rruga dhe u përplas me shkallët e një banese në hyrje të qytetit.

Ngjarja ka tronditur familjen, miqtë dhe komunitetin, të cilët e kujtojnë atë si një djalë energjik, të dashur dhe gjithmonë të buzëqeshur.

Gabrieli ishte një nga katër fëmijët e familjes Lluca, e cila tre vite më parë humbi edhe babain e tij, Agron Lluca.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe po bëhen verifikime mbi shpejtësinë e automjetit dhe gjendjen e rrugës në momentin e ngjarjes.