Është arrestuar në Malin e Zi, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, shtetasi shqiptar Magiljan Deda, 31 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Arrestimi u bë i mundur falë bashkëpunimit mes Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe Policisë së Malit të Zi, përmes Interpol Tiranës, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, që synon kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Shtetasi Deda ishte shpallur në kërkim pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, e cila më datë 23.04.2025 i caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet e kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Vakumi”, të zhvilluar në prill 2025, dyshohet se Magiljan Deda ka bashkëpunuar me një tjetër shtetas, tashmë i arrestuar, për kultivimin e 1640 bimëve narkotike në fshatrat Gocaj dhe Rraboshte, Lezhë.
Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu rreth 34 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, e paketuar për shitje.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet malazeze, vijon procedurat për ekstradimin e Magiljan Dedës drejt Shqipërisë.