FLASH :

I rrahu motrën, 41-vjeçari në Tiranë plagos kunatin, përfundojnë të dy në pranga

Një konflikt familjar ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit në Tiranë, duke çuar në plagosjen e një personi dhe arrestimin e dy të tjerëve.

Policia njofton se Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë vënë në pranga shtetasin Misir Tanushi, 41 vjeç, dhe kunatin e tij Genci Mullayumeri, 54 vjeç, pas një ngjarjeje të ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Llambi Bonata”, në banesën e 54-vjeçarit.

Sipas hetimeve paraprake, konflikti ka nisur pasi Genci Mullayumeri dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, e cila është motra e autorit të dyshuar. Në kulmin e debatit, 41-vjeçari M. T. ka qëlluar me armë zjarri, duke plagosur kunatin e tij.

Të dy personat u arrestuan menjëherë pas ngjarjes, ndërkohë që arma e përdorur është sekuestruar si provë materiale. Policia vijon punën për kapjen e shtetasit N. S., nip i 41-vjeçarit, i cili ishte prezent në momentin e incidentit dhe u largua nga vendngjarja.