Një skenë që ngjante me një film aksion është regjistruar në mëngjesin e së premtes në rrugën “Fortuzi” të Tiranës, pranë shkollës “Jeronim De Rada”. Një operacion policor me shumë efektivë çoi në arrestimin e një 31-vjeçari, i identifikuar si Enis Vrapi, i cili sipas burimeve vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Pamjet ekskluzive tregojnë momentet kur i arrestuari nxirret me forcë nga një makinë tip Land Rover nga efektivët e policisë.
Në vendngjarje shihet edhe një makinë tip Range Rover me dëmtime të dukshme, veçanërisht në xhamin e përparmë, e cila dyshohet të jetë përplasur gjatë ndjekjes. Dëme ka pësuar edhe një automjet policie. Sipas informacioneve paraprake, ngjarja nisi në zonën e Medresesë, ku Vrapi, duke drejtuar makinën e tij, filloi të përplaste automjete policie dhe të rrezikonte jetën e qytetarëve. Brenda makinës së tij, policia ka gjetur edhe një armë lodër.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se 10 ditë më parë, Vrapi ishte ndaluar nga policia dhe ishte shtruar në Spitalin Psikiatrik, por nuk dihen rrethanat e daljes së tij nga institucioni shëndetësor.
Policia ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për ngjarjen. Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe motivet e incidentit.







