Një video e shpërndarë së fundmi në rrjete sociale tregon një makinë luksoze Ferrari duke bërë “drift” në pistën e aeroportit të Kukësit – një ambient që dikur u prezantua nga kryeministri Edi Rama si simbol i zhvillimit dhe hapjes së veriut me botën. Në pamjet që janë bërë virale, shfaqet Ferrari duke u sjellë në mënyrë spektakolare mbi pistën bosh, pa asnjë aktivitet fluturimi në sfond, duke e shndërruar aeroportin në një pistë të shtrenjtë për argëtim privat.
Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit u përurua me shumë bujë në prill të vitit 2021, ku vetë Rama e quajti “aeroportin e popullit”, një projekt që sipas tij do t’i jepte fund izolimit të veriut dhe do të nxiste zhvillimin ekonomik përmes turizmit dhe lidhjeve ajrore. Por që prej hapjes, aeroporti ka vuajtur nga mungesa e fluturimeve të rregullta dhe interesit komercial, duke funksionuar në mënyrë sporadike me disa fluturime charter apo sezonale, të pamjaftueshme për të mbajtur gjallë operimin e tij.
Shkaku kryesor i dështimit, sipas ekspertëve të aviacionit dhe ekonomisë, lidhet me mungesën e një tregu të qëndrueshëm udhëtarësh në zonën e Kukësit, konkurrencën nga aeroportet e Tiranës dhe Prishtinës, si dhe kostot e larta të operimit në një vend me infrastrukturë mbështetëse të dobët. Sot, aeroporti i ndërtuar me fonde publike dhe premtime ambicioze, është shndërruar në simbol të investimeve joproduktive, duke u përdorur më shumë për show sesa për transport ajror.







