FLASH :

“I prenë rrugën dhe e goditën me sende të forta 38-vjeçarin”, shpallen në kërkim 2 autorët e plagosjes në Kamzë

Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar së plagosjes së 38-vjeçarit paraditen e së hënës në Kamëz.

Siç thuhet në njoftimin zyrtar, në banesën e njërit prej tyre është gjetur një armë zjarri dhe sasi municioni luftarak. Dy kushërinjtë Marjo Boja dhe Ersjon Boja, 26 dhe 30-vjeç, i prenë rrugën me automjet 38-vjeçarit Redi Vata dhe më pas e goditën me sende të forta.

Sipas policisë, 38-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë dyshohet se shkak i konfliktit ka qenë një vajzë, edhe pse Vata nuk ka treguar detaje.

Arma me të cilën është qëlluar nuk dihet nëse është e njëjta që u gjet në banesën e Marjo Brojës, por është dërguar për ekspertizë balistike, e cila do të sqarojë të plotë. Dyshimet e bluve janë se dy kushërinjtë kanë shkuar vetëm ta rrahin apo trembin Vatën, jo me qëllim për ta vrarë, ndërsa e shtëna ka qenë në ajër. Ata janë identifikuar përmes rrjeteve sociale pasi jepnin makina me qira.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, ditën e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “OSBE”, një shtetas ishte goditur me sende të forta, organizuan menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të konfliktit, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. B., 26 vjeç dhe E. B., 30 vjeç, të cilët dyshohet se dje, rreth orës 10:00, në rrugën “OSBE”, për motive të dobëta, i kanë prerë rrugën, me automjet, shtetasit R. V., 38 vjeç, dhe e kanë goditur atë, me sende të forta. I dëmtuari mori mjekim dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, është shpallur në kërkim automjeti tip “Benz” me të cilin dyshohet se janë larguar nga vendi i ngjarjes, 2 autorët e dyshuar”, thonë blutë.