Babai i Virginia Giuffre nuk beson që e bija ështëvetëvrarë dhe këmbëngul se “dikush tjetër shkoi tek ajo”.
Në një intervistë për Piers Morgan, Sky Roberts thotë se “s’ka asnjë mënyrë” që e bija e cila ishte paditësja e princit Andrew, të jetë vetëvrarë dhe ka diçka të dyshimtë në mes.
“Së pari, s’mundesha as ta besoja. Dua të them, nisa të qaja menjëherë. Jam ende duke qarë. S’mund ta besoj që kjo po ndodh. Është thjesht e pamundur”. Më pas shton: “Ata që thonë se kreu vetëvrasje, s’ka asnjë mënyrë që ajo ta ketë bërë. Dikush shkoi tek ajo. Nuk mendoj që u vetëvra”.
Virginia Giuffre u gjet e vdekur më 25 prill në shtëpinë e saj në Australinë Perëndimore. I ati shpreson që ajo të mbahet mend si dikush që “doli nga një situatë e keqe dhe krijoi një të mirë prej saj”. Ai shton se ajo “po ndihmonte shumë vajza të tjera që ndienin dhimbjen e asaj që ndodh me njerëz të tillë”.
“Mendoj se ajo është e fortë, shumë e fortë dhe prandaj nuk mendoj që bëri vetëvrasje. Ajo kishte kaq shumë për të jetuar. Ajo kishte fondacionin e saj”.
Avokatja e së ndjerës, Karrie Louden tha se kishte “shumë pikëpyetje” për vdekjen e saj. Në javët para vdekjes së saj, nuk kishte pasur shenja që ajo donte t’i jepte fund jetës.
Giuffre ishte një nga akuzueset më të njohura të Jeffrey Epstein dhe Ghislaine Maxwell. Ajo i akuzonte ata për trafikimin e saj kundrejt princit Andrew kur ishte 17 vjeçe.
Virginia Giuuffre jetoi në Australi për vite me radhë dhe fliste për të mbijetuarat e trafikimit seksual pasi u kthye në një personazh qendror në rrëzimin e Epstein.
