FLASH :

I paraburgosuri që qëlloi ndaj inspektorit të IMT gjendet i vetëvarur në burgun e Fushë-Krujës

Ditën e sotme, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fushë-Krujë, është shënuar një ngjarje e rëndë. I paraburgosuri Qani Hamit Muça është gjetur i vetëvarur në tualetin e dhomës ku po vuante masën e sigurisë.

Ngjarja ndodhi në sektorin 2, kati i dytë, godina B të burgut, ku Muça ndodhej bashkë me pesë të paraburgosur të tjerë. Një prej tyre vuri re mungesën e tij dhe, pas kërkimeve, e gjeti të vetëvarur në grilën e ajrimit të dhomës.

Autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet për të dokumentuar rrethanat dhe motivet e mundshme të vetëvrasjes.

Qani Muça ishte arrestuar për tentativë vrasjeje ndaj inspektorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), Ilirjan Gavelli, si dhe për armëmbajtje pa leje. Sipas dosjes hetimore, ngjarja kishte ndodhur pas një konflikti lidhur me prishjen e banesës së tij në zonën e “Ali Demit” në Tiranë, ku Muça përdori armë zjarri dhe plagosi inspektorin, duke dëmtuar edhe një automjet të parkuar pranë vendit të ngjarjes.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa institucionet përgjegjëse po verifikojnë nëse janë respektuar protokollet e sigurisë për mbrojtjen e jetës së të paraburgosurve.

Njoftimi i plotë:

Sot, më datë 19 maj 2025, rreth orës 03:34, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fushë-Krujë, i paraburgosuri Qani Hamit Muça është gjetur i vetëvarur në tualetin e dhomës ku qëndronte, në pjesën e grilës së ajrimit. Ngjarja ka ndodhur në sektorin 2, kati i dytë, godina B, ku i ndjeri qëndronte së bashku me pesë të paraburgosur të tjerë.
Sipas informacionit paraprak, rreth orës 03:34 është vënë re nga një prej të paraburgosurve që Muça po vonohej më shumë sesa zakonisht. Ky i fundit ka hapur derën dhe ka konstatuar Qani Muçën të vetëvarur në grilën e dritares. Menjëherë është njoftuar shërbimi i sigurisë, ndihmës-mjeku i institucionit, si dhe janë njoftuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Shërbimi për Kontrollin e Brendshëm në Burgje (SHKBB).
Grupet hetimore kanë mbërritur në ambientet e institucionit rreth orës 04:00 dhe kanë nisur procedurat për dokumentimin dhe hetimin e ngjarjes.
I ndjeri, Qani Hamit Muça, i datëlindjes 02.07.1967, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, ishte i divorcuar, me arsim të mesëm dhe i padënuar më parë. Ai ishte arrestuar më datë 12.08.2024 për veprat penale: “Vrasje e funksionarëve publikë”, e mbetur në tentativë; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” (nenet 79/a–22 dhe 278/1 të Kodit Penal). Në IEVP Fushë-Krujë ishte transferuar më datë 28.09.2024 nga IEVP “Jordan Misja”.