FLASH :

“I hedhin me motor turistët”/Gjarpërinjtë dhe teoritë sabotuese po kafshojnë turizmin shqiptar

Në një vend ku vera është sinonim i turizmit, pushimit dhe gjallërisë në bregdet, pak kush do të imagjinonte se në qendër të vëmendjes do të viheshin… gjarpërinjtë. E megjithatë, ky është realiteti që ka shpërthyer në Shëngjin e Velipojë këto ditë. Qytetarë të shqetësuar po ndajnë video, foto dhe përshkrime të detajuara mbi një prani të pazakontë të gjarpërinjve nëpër rrugë, trotuare dhe madje pranë zonave të frekuentuara nga pushuesit.

Një qytetare që po udhëtonte me makinë në këtë aks rrugor tregoi se gjatë një pjese të rrugës pa të paktën shtatë apo tetë gjarpërinj që kalonin asfaltin në qetësi të plotë. Në një tjetër rast, një grua ka deklaruar se është pickuar dhe ka kaluar 12 ditë në reanimacion në gjendje të rëndë. Tashmë, kjo është një situatë që po shqetëson publikun dhe po krijon ndjesi të forta pasigurie.

Ajo që bie menjëherë në sy, përveç vetë rrezikut fizik, është mosbesimi masiv ndaj institucioneve dhe mungesa totale e një sqarimi zyrtar. Në komente, qytetarët nuk ngurrojnë të shprehen se ky është një sabotim i qëllimshëm. Disa fajësojnë turistët me motorë që “kanë sjellë gjarpërinjtë në çanta”, të tjerë përmendin shërbime sekrete të huaja që duan të pengojnë zhvillimin e turizmit në Shqipëri.

Këto teori nuk janë të reja. Qarkullojnë prej vitesh, sidomos gjatë stinëve të verës, kur gjarpërinjtë shfaqen në mënyrë më të dukshme. Prej më shumë se një dekade, në rrjetet sociale dhe në bisedat e përditshme përmenden Serbia dhe Greqia si burime të mundshme të një “importi të qëllimshëm” të zvarranikëve. Problemi madhor qëndron tek pasojat e futjes së një specieje në një mjedis që nuk e ka evoluar natyrshëm për ta përballuar.

Gjarpërinjtë, sado të rëndësishëm të jenë në një ekosistem të vetin, kur futen në një ekosistem të huaj mund të bëhen jashtëzakonisht të dëmshëm. Përshtatja ekologjike kërkon mijëra vjet, dhe futja e një specie të re, qoftë edhe një zvarraniku, mund të destabilizojë balancën biologjike të një territori të tërë.

Gjarpërinjtë janë grabitqarë natyralë. Ata mund të zhdukin zogj të vegjël, bretkosa, brejtës të vegjël që luajnë rol të rëndësishëm në shpërndarjen e farave apo në ciklin e tokës. Në zona rurale, mund të përbëjnë rrezik për blegtorinë, për fëmijët dhe për ata që punojnë tokën. Nëse pickimet fillojnë të shtohen, ngarkohet sistemi shëndetësor, rritet paniku dhe krijohet një klimë mosbesimi që përhapet më shpejt se vetë zvarranikët.

Kjo ka ndodhur në shumë vende të botës: gjarpërinjtë invazivë kanë zhdukur zogj, brejtës dhe zvarranikë autoktonë, kanë ndryshuar ciklet e riprodhimit të specieve të tjera dhe kanë shkaktuar një varfërim të ndjeshëm të biodiversitetit. Në një vend si Shqipëria, ku kontrolli ekologjik dhe monitorimi i faunës janë minimalë, futja e një specieje të re është rrezik serioz që mund të kalojë pa u kuptuar deri sa të jetë shumë vonë.

Ka edhe nga ata që mendojnë se ndokush nga brenda vendit po i hedh qëllimisht për të krijuar panik, për të frenuar zhvillimin lokal apo për të zhvendosur interesat turistike diku tjetër.

Një pushues që has në rrugë një zvarranik, nuk do të kthehet më aty. Ndikimi është zinxhir. Turistët ikin. Sipërmarrjet humbasin të ardhura. Të rinjtë humbasin besimin në zhvillimin e zonës. Mediat e huaja kapin rastin dhe e shpërndajnë, duke zbehur imazhin e Shqipërisë si destinacion i sigurt.

Heshtja krijon mjegull. Dhe mjegulla, në Shqipëri, mbart gjithmonë rrezik. Por përtej heshtjes, ka një problem më të madh: mungesa totale e investimeve për monitorimin e biodiversitetit, mbrojtjen e florës dhe faunës, dhe kontrollin ekologjik të territorit. Shqipëria shpenzon miliona euro çdo vit në tendera që kanë më shumë interes financiar se publik, në projekte luksi, në fasada dhe spektakël, ndërkohë që nuk arrin të mbulojë nevojat minimale për studime mjedisore, për pastrim terreni, apo për reagim të specializuar ndaj fenomeneve të tilla. Institucionet që duhet të jenë në terren, janë shpesh vetëm në letra. Ndërsa qytetarët përballen me pasoja të drejtpërdrejta, më shumë përfitojnë ata që vjedhin me letra, jo ata që mbrojnë me dije.

Askush nuk është i sigurt që kemi një komplot ndërkombëtar. Por as nuk mund të përjashtohen veprime dashakeqe nga individë apo grupe që duan të shkatërrojnë një potencial ekonomik. Shqipëria nuk është e paprekshme. Dhe as nuk ka imunitet nga sabotimet.

Gjarpërinjtë mund të jenë pjesë e natyrës. Por paaftësia për t’i kontrolluar është pjesë e gabimeve tona. Dhe Shqipëria nuk duhet të humbasë një tjetër verë, një tjetër potencial, një tjetër betejë, as nga “armiqtë”, por as nga vetja.