FLASH :

“I forti” që rrahu kamarierin në Vlorë polic, pezullohet nga detyra. Ndodhet në spital pasi u përplas me pronarin e hotelit

Policia e Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra një oficer të Policisë Kufitare të Dibrës, pas përfshirjes së tij në një konflikt fizik jashtë orarit të shërbimit, në qytetin e Vlorës. Ngjarja ndodhi në një lokal në lagjen “Pavarësia 2”, ku Nënkomisar A. I., në shoqërinë e një shtetasi tjetër, është përfshirë në një përplasje me disa persona, përfshirë një 18-vjeçar dhe pronarin e një hoteli.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të efektivit, ndërsa ndaj tij është nisur një procedurë disiplinore e rëndë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, sipas ligjit për Policinë e Shtetit. Aktualisht, Nënkomisari ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ndërsa hetimet për rastin po vijojnë në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorinë. Policia deklaron se mbetet e vendosur të mbrojë imazhin e saj dhe të reagojë ndaj çdo sjelljeje që dëmton besimin e qytetarëve.