Një burrë i dhunshëm që u përpoq t’i kafshonte syrin të fejuarës së tij shtatzënë dhe e rrahu derisa humbi ndjenjat, është rikthyer në burg pasi u përpoq të kontaktonte viktimën, e cila ka një urdhër ndalimi 10-vjeçar ndaj tij.
Benjamin Jones, 30 vjeç, kafshoi fytyrën e saj, i tërhoqi dhunshëm gojën dhe i pështyu brenda saj, e goditi me kokë dhe i tërhoqi flokët në mënyrë brutale në banesën e tyre në Attleborough, Norfolk. Ai i tha se do ta shëmtonte që askush tjetër të mos e donte më.

Pavarësisht përpjekjes për t’i kafshuar syrin, fatmirësisht e humbi objektivin dhe i shkuli një pjesë të vetullës. Më vonë, Jones u rikthye pas hekurave pasi theu urdhrin e ndalimit duke kontaktuar viktimën.
Në seancën e mëparshme, gjykata dëgjoi se marrëdhënia kishte nisur në vitin 2021 me një romancë të shpejtë dhe pushime luksoze. Por dhuna shpërtheu pas fejesës së tyre. Sulmi ndodhi pasi kishin festuar lajmin e shtatzënisë së saj me familjen.

Pasi ajo u kthye në shtëpi dhe ai mbërriti me makinë, filloi të bëhej agresiv. Ajo telefonoi 999 dhe fshehu celularin për të mos u gjetur. Ai e tërhoqi nga banja, i hoqi unazën e fejesës, i pështyu në gojë, e goditi me kokë, e tërhoqi zvarrë nga flokët, e ngufati dhe më pas e la pa ndjenja.
Policia e gjeti pa ndjenja në shtëpi, ndërsa Jones ishte arratisur. Viktima u shtrua në spital me sy të nxirë, shenja duarsh në trup dhe plagë nga dhunime të mëparshme.
Në raste të tjera, ai e kishte nxjerrë jashtë lakuriq në temperatura të ulëta për të fjetur, e kishte futur me zor në makinë me pizhamet dhe kishte kërcënuar ta hidhte në kanal. E kishte goditur rëndë dhe më pas e kishte hedhur në rrugë.
Ai gjithashtu i kishte shtypur këmbën me derë, thyer telefona, e kishte goditur dhe e kishte shtyrë nga shkallët.

Jones u dënua në qershor të vitit të kaluar për dy akuza për dhunë me pasoja trupore dhe një për rrahje, si dhe për dëmtim prone nën 5,000 £ dhe për posedim të kokainës dhe kanabisit.
Pasi vuajti 18 muaj burg, u lirua me kusht, por tani është rikthyer pas hekurave për shkelje të urdhrave.
Grupet për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje kanë ngritur shqetësimin se abuzuesit po lirohen shumë shpejt nga burgu. Emma Nurse nga Leeway tha: “Siguria e viktimave duhet të jetë prioritet dhe abuzuesit nuk duhet të përfitojnë nga lirimet e parakohshme. Duhet dërguar një mesazh i fortë që dhuna në familje nuk tolerohet dhe do të përballet me masa të rënda.”