FLASH :

I biri i Netanjahut akuzon shefin e ushtrisë se po përgatit “puç”

Një përplasje e pazakontë mes politikës dhe ushtrisë po tensionon skenën izraelite, pasi Yair Netanyahu, djali i kryeministrit Benjamin Netanyahu, ka akuzuar publikisht shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), gjeneral Eyal Zamir, se po përgatit një “rebelim dhe puç ushtarak”. Akuza e rëndë u publikua në rrjetin social X, ku Yair pretendoi se Zamir po minonte planet e qeverisë për të pushtuar plotësisht Rripin e Gazës.

Në mbrojtje të gjeneralit erdhi ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, i cili në një postim të gjatë tha se “është e drejta dhe detyra e shefit të shtabit që të shprehë mendimet e tij në forumet përkatëse”, duke theksuar se ushtria do të zbatojë çdo vendim politik me profesionalizëm. Katz gjithashtu konfirmoi se kishte rekomanduar vetë Zamirin për postin dhe e lavdëroi për ofensivat e udhëhequra në të gjitha frontet, përfshirë Gazën, Libanin dhe Sirinë.

Përplasja erdhi pasi Zamir kishte shprehur rezerva të forta në një takim me kabinetin qeveritar mbi planin për të pushtuar tërësisht Gazën, duke paralajmëruar se një veprim i tillë do të rrezikonte jetën e pengjeve izraelite, do të mbingarkonte ushtrinë dhe do të kthente Gazën në një “kurth”. Reagimi i kryeministrit Netanyahu ndaj protestës së Zamirit u raportua i ftohtë: “Im bir është 33 vjeç, është burrë i rritur.”

Ndërkohë, Zyra e Kryeministrit ka lënë të kuptohet se nëse shefi i ushtrisë nuk është dakord me planin, ai mund të japë dorëheqjen. Ky konflikt vjen në një kohë kur IDF kontrollon rreth 75% të territorit të Gazës dhe qeveria po përgatitet për një votim për ta zgjeruar pushtimin, një kërkesë e hershme e partnerëve të ekstremit të djathtë në koalicion. Planet kanë alarmuar edhe familjet e 50 pengjeve izraelite ende të mbajtura në Gaza, prej të cilëve rreth 20 mendohet të jenë gjallë.