Serbia, Hungaria dhe Rusia kanë ringjallur përpjekjet për ndërtimin e një naftësjellësi të ri strategjik, që do të lidhë drejtpërdrejt dy vendet ballkanike me rrjetin rus të furnizimit me naftë bruto. Takimi i zhvilluar më 21 korrik mes ministres serbe të Energjisë Dubravka Gjedoviç Handanoviç, homologut rus Pavel Sorokin dhe diplomatit hungarez Peter Szijjarto shënon një hap konkret drejt realizimit të projektit, pavarësisht sanksioneve dhe presionit të Bashkimit Evropian.
Sipas deklaratave zyrtare, naftësjellësi do të ketë një kapacitet deri në 5 milionë tonë në vit dhe pritet të jetë funksional në vitin 2027. Serbia do të përfitojë akses në furnizim më të lirë me naftë përmes lidhjes me rrjetin rus Druzhba, pas bllokimit të naftës ruse nga Kroacia në fund të vitit 2022.
Megjithëse NIS – kompania serbe e naftës – është nën sanksionet amerikane për shkak të lidhjeve me Gazprom Neft, autoritetet në Beograd po vazhdojnë me projektin, duke nënvizuar interesin për diversifikim dhe siguri energjetike. Dokumentacioni teknik pritet të përfundojë në fillim të vitit 2026, ndërsa aspektet komerciale janë ende në diskutim.
Lëvizja sfiduese ndaj BE-së konfirmon se Serbia dhe Hungaria po thellojnë lidhjet me Rusinë në një kohë të tensionuar gjeopolitike, duke rrezikuar përplasjen me qëndrimin zyrtar europian ndaj agresionit rus në Ukrainë.