FLASH :

Humbja e tretë radhazi, Interi rrezikon titullin. Inzagi jep një tjetër lajm të keq: Pavard ka ndrydhur kaviljen

Interi ka pësuar humbjen e tretë radhazi. Zikaltërit u mposhtën minimalisht në shtëpi nga Roma, në sfidën e javës së 34-t në Serinë A.

Një gol i shënuar nga Soule në minutën e 22-të, i dha suksesin skuadrës kryeqytetase në Milano.

Interi zbret në vendin e dytë me 71 pikë, po aq sa edhe Napoli kryesues, me këta të fundit që kanë një ndeshje më shumë për të luajtur dhe në rast se fitojnë, do të shkëputeshin në krye.

Lajmet e këqija kanë vijuar edhe me dëmtimin e Benzhamë Pavard, një prej lojtarëve kyç të lojës së Inzagit.

“Kështu është futbolli, në këtë javë vijmë nga tre ndeshje me humbje që të dhembin. Skuadra e provoi, në ndeshjen e sotme ka vënë zemrën në fushë, përqafimi në fund i tifozëve na kënaqi përtej kësaj humbje të shëmtuar. Lojtarët japin gjithmonë shpirtin. Do të kenë gjithmonë mirënjohjen time. Tre humbje radhazi, nuk jemi mësuar. Kalendarët, mungesat, rivëniet anësore, penalltitë… në këto momente nuk do të shërbente asgjë të flisnim për këto, por duhet të shohim veten dhe rikuperojmë energji.

Pas dy ditësh do të jemi në udhëtim për në Barcelonë, nuk ishte nevoja ta shihnim të shtunën për të kuptuar se çfarë skuadre është. Do të shkojmë atje me shumë respekt, por jo me frikë”, tha fillimisht inzagi pas sfidës, kur konfirmoi edhe situatën e mbrojtësit.

“Ai ka një ndrydhje në kaviljen e majtë, të shohim situatën në ditët e ardhshme. Edhe kjo nuk na duhej, për ne është një lojtar shumë i rëndësishëm”, theksoi trajneri duke bërë të qartë se nuk ishte optimist për situatën e francezit në momentin kyç të sezonit.