Dy turistë kanadezë që kishin humbur orientimin gjatë një ecjeje në Karaburun, u gjetën dhe u shpëtuan në kohë nga Policia Kufitare në Dhërmi.
Sipas policisë, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:00, Salla Operative e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë u njoftua për humbjen e orientimit të dy shtetasve kanadezë, të cilët ishin ndarë nga grupi i tyre gjatë një ecjeje në zonën e thellë dhe të pyllëzuar të Karaburunit.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, u organizua një operacion kërkimi nga Policia Kufitare Dhërmi, e cila u nis me mjet lundrues drejt Gjirit të Gramës.
Pasi mbërritën në zonë, efektivët e Policisë vijuan kërkimet në këmbë në terren të vështirë malor dhe në errësirë të plotë. Rreth orës 24:00, ata arritën të lokalizojnë dhe gjejnë dy turistët, të cilët ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore.
Turistët u shoqëruan në Gjirin e Gramës, ku iu bashkuan pjesës tjetër të grupit të tyre.







