Një krim i rëndë ka ndodhur të shtunën pasdite në qytetin Tolentino të Italisë, ku Gentiana Hudhra, 45 vjeç, me origjinë shqiptare, u vra me thikë nga ish-burri i saj, një 55-vjeçar shqiptar.
Ngjarja ndodhi në një zonë të populluar të qytetit, para syve të kalimtarëve. Autori nuk u largua nga vendi i krimit, por u gjet ulur në një stol pranë, në gjendje të hutuar. Ai u arrestua pa rezistencë.
Gentiana ishte nënë e dy të rinjve dhe e ndarë prej tre vitesh. Deri më tani nuk raportohen episode të mëparshme dhune, por autoritetet po hetojnë mbi marrëdhënien e çiftit dhe gjendjen mendore të autorit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në komunitetin lokal dhe atë shqiptar, duke risjellë në vëmendje debatin mbi dhunën ndaj grave.