Një muaj e gjysmë pas vdekjes së tij, Ozzy Osbourne u nderua në MTV Video Music Awards 2025 të dielën, më 7 shtator, me një homazh muzikor. Steven Tyler dhe Joe Perry të Aerosmith, Yungblud dhe kitaristi Nuno Bettencourt dolën në skenë, duke performuar një përzierje të disa prej hiteve të tij më të mëdha.
Vokalisti i Black Sabbath vdiq më 22 korrik në moshën 76 vjeç. Homazhi u hap nga djali i tij, Jack, së bashku me katër vajzat e tij, Pearl, Andi, Minnie dhe Maple, të cilat mbanin bluza me imazhin e tij. Yungblud më pas u shfaq në skenë dhe këndoi “Crazy Train” dhe “Changes”, me Bettencourt që e shoqëronte në kitarë.
Më vonë, Tyler dhe Perry performuan “Mama, I’m Coming Home”, me Yungblud që gjithashtu iu bashkua këngës. Pas homazhit, artistët u përqafuan dhe Yungblud bërtiti, “Ozzy përgjithmonë “.
Duke folur për revistën People në tapetin e kuq para shfaqjes, Bettencourt pranoi: “Vetja ime 15-vjeçare nuk mund ta besojë që po performoj një homazh për Ozzy-n. Mendoj se fansat do të jenë të lumtur’
Ozzy Osbourne luajti shfaqjen e tij të fundit me Black Sabbath disa ditë para vdekjes së tij, në Villa Park në Birmingham, Angli. Tyler, Yungblud dhe Bettencourt ishin të pranishëm në atë natë historike.
Yungblud kishte punuar më parë me Osbourne dhe ata kishin një marrëdhënie të ngushtë. Pak para shfaqjes së fundit të Black Sabbath, muzikanti i ndjerë i dha atij një gjerdan, dhe pas vdekjes së tij, Yungblud premtoi të performonte “Changes” çdo natë ” për pjesën tjetër të jetës sime “.