Qeveria holandeze ka dalë me një udhëzim të fortë kundër përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët nën 15 vjeç, duke ngritur alarmin për ndikimin negativ që platformat si TikTok dhe Instagram kanë në shëndetin mendor dhe fizik të të miturve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, përdorimi intensiv i këtyre rrjeteve lidhet me rritje të rasteve të depresionit, sulmeve të panikut dhe problemeve me gjumin.
Në një letër drejtuar parlamentit, zëvendësministri për rininë dhe sportin Vincent Karremans rekomandoi që fëmijët të kufizojnë kohën para ekranit dhe të kalojnë më shumë kohë jashtë. “20 minuta para ekranit duhet të pasohen nga të paktën dy orë lojëra në natyrë”, theksoi ai, duke shtuar se kjo ndihmon në zhvillimin e qëndrueshmërisë dixhitale dhe njohurive mediatike.
Këshillat nuk janë të detyrueshme me ligj, por vijnë pas një valë reagimesh nga prindër, ekspertë dhe mjekë, të cilët kërkojnë masa më të ashpra. Vetëm në maj, 1,400 profesionistë të fushës së shëndetit të fëmijëve firmosën një letër publike që i bën thirrje shtetit të ndalojë përdorimin e telefonave nga fëmijët nën 14 vjeç dhe të kufizojë qasjen në rrjetet sociale deri në moshën 16 vjeç.
Në vijim të këtij trendi, edhe vende si Australia (që e ndaloi përdorimin e mediave sociale nën moshën 16), Franca, Danimarka dhe Suedia po shqyrtojnë ose kanë zbatuar masa të ngjashme.
Ndërkohë, shkollat holandeze tashmë kanë ndaluar përdorimin e telefonave, tabletave dhe orëve inteligjente, përveç rasteve të veçanta. Mbretëresha Máxima ka rrëfyer se edhe vajza e saj, Princesha Ariane, ka patur probleme me shikimin si pasojë e përdorimit të tepruar të pajisjeve mobile.
Rritja e vetëdijes për pasojat e ekranit po shtyn gjithnjë e më shumë shtete drejt politikave mbrojtëse për fëmijët në epokën dixhitale, duke ngritur pyetjen: a po bëhen rrjetet sociale më të rrezikshme sesa të dobishme për brezat e rinj?







