Një valë dështimesh të njëpasnjëshme teknologjike ka ekspozuar kolapsin e sistemit digjital shtetëror në Shqipëri – me përgjegjësi të drejtpërdrejtë për AKSHI-n, agjencinë që menaxhon të gjitha platformat e qeverisë. Pas bllokimit të sistemit të tatimeve në e-Albania, tani ka rënë edhe faqja zyrtare e Agjencisë Shtetërore të Shpronësimeve (ASHSH), duke i lënë qytetarët pa asnjë informacion për fatin e pronave të tyre dhe proceset ligjore që i prekin drejtpërdrejt.
Ndërkohë që mijëra individë presin zgjidhje, drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, është e shkëputur plotësisht nga realiteti dhe, në vend që të ofrojë transparencë apo ndërhyrje teknike, vazhdon të promovojë projekte miliona-eurosh me “shkopin magjik” të digjitalizimit. Ky është i njëjti “shkop magjik” që ajo promovoi për regjistrimin online të fëmijëve në çerdhe dhe kopshte publike – një proces që në realitet është kthyer në shembullin më flagrant të nepotizmit, korrupsionit, ryshfetit dhe mashtrimit me dokumente.
Platforma të krijuara për “efikasitet”, po kthehen në bllokues për njerëzit e zakonshëm, ndërsa favoritët regjistrohen me kontrata fiktive dhe “mik” në institucionet e mbingarkuara në qendër të Tiranës. Prindërit e zakonshëm përjashtohen dhe përballen me tarifat 10-fish në privat, ndërsa shteti i trajton si pengesë, jo si prioritet.
Sot, qytetarët nuk arrijnë të dorëzojnë bilancet, nuk informohen dot për pronat, dhe nuk regjistrojnë dot fëmijët në sistemin arsimor publik pa ndërhyrje politike, para në dorë apo dokumente të falsifikuara – dhe në krye të gjithë këtij kaosi, qëndron AKSHI, që me bekimin e politikës, kontrollon çdo nyje të digjitalizimit shtetëror.
Për shumë qytetarë, digjitalizimi nën drejtimin e Mirlindës nuk është zgjidhje, por fasadë. Dhe siç thonë vetë në rrjete sociale: “Kur sistemi bie, populli paguan. Kur AKSHI dështon, faji zhduket. Dhe Mirlinda… hesht.”