FLASH :

Heshtja e Arlind Qorit: Minatorët nuk “vlejnë” më që kur Albchrome ra në duar turke?

Asnjë reagim nga Arlind Qori.

Një emër që dikur ngrihej në çdo protestë për të drejtat e punëtorëve – veçanërisht minatorëve – sot hesht edhe kur një tjetër punëtor përfundon i gjymtuar në një repart të kompanisë “Albchrome”. Nëse më parë ai dhe Lëvizja “Bashkë” ishin gjithmonë në ballë të protestave dhe denoncimeve publike, që prej momentit kur fituan një mandat deputeti, duket se zëri i tyre është shuar.

Rasti i fundit është më i rëndi: një aksident i rëndë pune ndodhi në repartin e copëtimit të ferrokromit në uzinën e Albchrome në Elbasan. Mekaniku Rubin Meçja u godit rëndë nga një pllakë qindra kilogramëshe teksa po punonte me kolegët për ndërrimin e saj. Ai u dërgua me urgjencë nga Elbasani drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për shkak të dëmtimeve në shpatull dhe shtyllën kurrizore.

Pas incidentit, ndërhyri vetëm Inspektorati Shtetëror i Punës, që vendosi të bllokojë përkohësisht repartin – por jo zëri i “proletarëve të majtë” që dikur e cilësonin Albchrome një “kamp shfrytëzimi”.

Ajo që bie në sy është heshtja. Asnjë deklaratë nga Qori. Asnjë protestë nga Lëvizja Bashkë. Asnjë pankartë. Asnjë fjalë.

A ka lidhje kjo heshtje me faktin që Albchrome nuk është më në duar shqiptare? Prej disa vitesh ajo kontrollohet nga kapital turk, dhe jo më nga sipërmarrje shqiptare që përbëjnë konkurrencë për interesat ekonomike të Artan Dulakut – një oligark i njohur që, sipas raportimeve të shumta, është financues i drejtpërdrejtë i fushatës së deputetit të vetëm të “Bashkë”, Rdi Muçi?

Nëse dikur Arlind Qori fliste për interesa të punëtorëve kundër “klasës oligarkike”, sot duket sikur heshtja e tij përputhet me axhendat e po kësaj klase – vetëm se me prapavijë të ndryshme gjeopolitike.

Minatorët e kanë kuptuar mirë: heshtja është zgjedhje politike. Dhe për ta, kjo është tradhti.