Anchorage, Alaska – Një burrë i ri nga Alaska u shpall hero pasi parandaloi një tragjedi të mundshme gjatë festimeve të Ditës së Punës, duke i marrë armën një sulmuesi në mes të një turme në panairin shtetëror.
Jaden Perry, 24 vjeç, ndodhej në Alaska State Fair për t’i ndihmuar një mik të çmontonte stendën e tij kur papritur shpërtheu një sherr mes rreth tetë të rinjve. Situata mori kthesë të rrezikshme kur një prej tyre nxori një pistoletë Glock me karikator të zgjatur, duke kërcënuar se do ta përdorte mes qindra vizitorëve.
“Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Thjesht reagova dhe u hodha mbi të për ta penguar,” tha Perry për Daily Mail. “Nëse nuk do ta ndaloja, mund të kishte pasur shumë viktima.”
Reagimi i turmës dhe autoriteteve
Sipas dëshmitarëve, paniku shpërtheu në momentin që arma u pa në ajër, me njerëzit që vraponin drejt daljeve. Falë ndërhyrjes së shpejtë të Perry-t, arma u mor menjëherë nga sulmuesi dhe iu dorëzua forcave të sigurisë në vendngjarje.
Policia konfirmoi se sulmuesi është vënë në pranga dhe hetimet vijojnë për rrethanat e sherrit.
Një hero i vërtetë
Organizatorët e panairit e falënderuan publikisht Perry-n, duke thënë se veprimi i tij “shpëtoi jetë dhe parandaloi një masakër”.







