Rreth 4 mijë studentë në Indonezi u sëmurën si pasojë e helmimit nga ushqimi, pasi konsumuan vakte falas që ofronte shkolla me fondet e qeverisë indoneziane. Programi, i nisur në janar, ka për qëllim të ofrojë ushqime falas për nxënësit, por shifrat zyrtare nga Instituti Indonezian INDEF tregojnë një problem serioz në zbatimin e tij.
“Në provincën Java Perëndimore, 569 nxënës nga pesë shkolla në distriktin Garut shfaqën simptoma të të përzierave dhe të vjellave pasi hëngrën pulë dhe oriz të ofruar si pjesë e vakteve falas”, deklaroi për Reuters Nurdin Yana, sekretar i qeverisë lokale në provincën Garut. Deri më sot, 10 studentë mbeten të shtruar në spital, ndërsa të tjerët janë shëruar.
Qeveria lokale ka premtuar rritjen e mbikëqyrjes së agjencisë që ofron ushqimet për shkollat, duke siguruar që vakte të tilla të mos shkaktojnë më probleme shëndetësore. Për më tepër, programi nuk do të ndalet; përkundrazi, nxënësve do t’u ofrohen ushqime bazë të sigurta dhe të shëndetshme, si bukë, qumësht, vezë të ziera dhe fruta.
Ekspertët e shëndetit publik nënvizojnë rëndësinë e kontrollit të cilësisë së ushqimeve që ofrohen në shkolla, sidomos kur bëhet fjalë për programe të tilla kombëtare që prekin mijëra fëmijë. Megjithë incidentet, autoritetet lokale theksojnë se qëllimi i programit mbetet ofrimi i ushqimit të mjaftueshëm dhe të shëndetshëm për nxënësit dhe se masat parandaluese do të jenë të forta.