Kompania e famshme gjermane e ëmbëlsirave, Haribo, ka nisur tërheqjen urgjente të disa produkteve të saj nga tregu në Holandë, pasi në disa pako u zbuluan gjurmë kanabisi.
Autoriteti holandez i sigurisë ushqimore NVWA njoftoi se disa qytetarë, përfshirë edhe fëmijë, janë ndjerë keq pas konsumimit të Haribo Happy Cola F!ZZ, duke raportuar marramendje dhe shqetësime të tjera. Analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e kanabisit në të paktën tre pako të kontaminuara.
Haribo ka sqaruar për BBC se është duke bashkëpunuar me autoritetet dhe policinë për të zbardhur rrethanat e kontaminimit, ndërsa ka nisur tërheqjen e gjithë stokut si masë paraprake. Pako të prekura kanë një datë përdorimi para janarit 2026, por ende nuk është bërë e ditur numri i saktë i personave të prekur.
“Mos i konsumoni”, është thirrja e drejtpërdrejtë që vjen nga autoritetet holandeze, të cilat shtojnë se produkte të ngjashme mund të shkaktojnë probleme shëndetësore, sidomos te fëmijët.
Për momentin, tërheqja vlen vetëm për territorin e Holandës, ndërsa nuk ka raportime për kontaminim në vende të tjera.








