FLASH :

Haraçi për regjistrime në çerdhe, kopshte e shkolla kthehet në traditë, institucionet heshtin!

Në Shqipëri, të regjistrosh fëmijën në një çerdhe, kopsht apo shkollë publike po kthehet gjithnjë e më shumë në një betejë të padrejtë për mijëra prindër. Mungesa e institucioneve publike, sidomos në zonat periferike të Tiranës si Astiri, Paskuqani apo Farka, ka krijuar një terren të favorshëm për abuzime të hapura. Regjistrimet shpesh kalojnë përmes ryshfetit, duke kthyer haraçin në një praktikë të heshtur por të rrënjosur. Përballë kësaj situate alarmante, Qëndresa Qytetare ka kërkuar publikisht nga Ministria e Arsimit monitorim dhe transparencë të plotë në procesin e regjistrimeve, duke paralajmëruar se një sistem ku edhe hyrja në çerdhe blihet, është një sistem i dënuar të rrënohet.

Regjistrimi në çerdhe publike dhe kopshte i fëmijëve është kthyer në një mision të pamundur për mijëra prindër veçarisht në Tiranë, pasi numri i çerdheve dhe kopshteve publike është shumë i vogël për të përballuar fluksin e lartë të kërkesave.

Rajone me nga 80 mijë banorë si Astiri apo Paskuqani ose zona e Farkës nuk kanë fare kopështe e çerdhe publike, çka i detyron familjet të përballen me çmimet e kripura të privatit që nuk janë në raport të drejtë me cilësinë e shërbimit që ata ofrojnë.

Problematikë e theksuar mbetet dhe regjistrimi në klasat e para, ku shpesh herë prindërit ekspozohen përballë rryshfetit për të regjistruar fëmijët në shkollë sa kohë në zonat e tyre nuk ka institucione arsimore publike.

Qëndresa Qytetare i kërkon Ministrisë së Arsimit të monitorojë procesin e regjistrimeve në çerdhe, kopështe e shkolla, pasi duhet të jetë një proces transparent se një vend ku dhe regjistrimi në çerdhe kalon përmes haraçit është i destinuar të shuhet.