FLASH :

Hamasi: Kemi humbur kontaktet me dy pengje pas sulmeve izraelite në Gaza

Krahu ushtarak i Hamasit ka bërë të ditur se ka humbur kontaktet me dy pengje izraelitë, Matan Angrest dhe Omri Miran, pas operacioneve të ushtrisë izraelite (IDF) në lagjet Sabra dhe Tal al-Hawa të qytetit të Gazës.

Sipas njoftimit të shpërndarë në kanalin Telegram, Hamasi paralajmëroi se “jeta e dy të burgosurve është në rrezik serioz”, duke akuzuar se sulmet ajrore dhe inkursionet tokësore izraelite kanë ndikuar në prishjen e komunikimit me grupet që mbanin pengjet.

Në mesazhin e tyre, militantët palestinezë i kërkuan Izraelit të tërhiqet menjëherë në jug të autostradës 8 dhe të ndalojë sulmet ajrore për një periudhë 24-orëshe, duke filluar nga ora 18:00 e sotme, në mënyrë që ekipet e tyre të mund të kryejnë operacione shpëtimi dhe të kontrollojnë gjendjen e pengjeve.

Operacionet e fundit izraelite në qytetin e Gazës kanë qenë veçanërisht intensive, me përleshje të ashpra në zona të banuara, duke e bërë situatën humanitare edhe më dramatike. Organizatat ndërkombëtare të ndihmës kanë përsëritur thirrjet për një armëpushim humanitar, pasi shërbimet mjekësore lokale po përballen me mbingarkesë dhe mungesë të pajisjeve bazë.

Çështja e pengjeve mbetet një nga pikat më delikate të konfliktit. Qeveria izraelite ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme se lirimi i tyre është një prioritet kombëtar, ndërsa Hamas shpesh i ka përdorur ata si mjet presioni në negociatat e ndërmjetësuara nga palë të treta si Katari dhe Egjipti.