FLASH :

Hamas: “Nuk ka kuptim” të flasim për armëpushim ndërsa Izraeli planifikon pushtim të përhershëm të Gazës

Një zyrtar i lartë i Hamasit ka deklaruar se nuk ka më kuptim të zhvillohen bisedime për një armëpushim të ri në Gaza apo për lirimin e pengjeve, pas njoftimit të Izraelit se do të zgjerojë ofensivën tokësore dhe do të pushtojë Gazën në mënyrë të pacaktuar.

Bassem Naim, një nga zërat kryesorë të grupit palestinez, i tha BBC-së se Hamasi nuk do të angazhohet në propozime të reja derisa Izraeli të ndalë atë që ai e quajti “luftë me uri”.

Nga ana e saj, Izraeli ka deklaruar se objektivat e operacionit janë kthimi i pengjeve që mbahen ende nga Hamasi dhe “çmontimi dhe shkatërrimi përfundimtar” i këtij grupi.

Zyrtarë izraelitë thanë të hënën se planet përfshijnë zhvendosjen e shumicës së 2.1 milionë banorëve të Gazës, marrjen nën kontroll të të gjithë territorit dhe menaxhimin e ndihmave humanitare pas një bllokade dy mujore. Ata shtuan se ofensiva nuk do të nisë përpara vizitës së Presidentit amerikan Donald Trump në rajon javën e ardhshme, duke i dhënë Hamasit, siç u shprehën ata, një “dritare mundësie” për të arritur një marrëveshje.

Plani izraelit ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Britania, Franca dhe Kombet e Bashkuara e kanë kritikuar ashpër.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, shprehu alarm të thellë dhe paralajmëroi se këto veprime “do të çojnë në vrasjen e panumërt të civilëve dhe shkatërrimin e mëtejshëm të Gazës”.

Agjencitë e OKB-së dhe partnerët e tyre humanitarë kanë dënuar gjithashtu propozimin e Izraelit për të shpërndarë ndihma përmes kompanive private nëpër pika ushtarake, duke thënë se kjo do të shkelte parimet themelore humanitare dhe se ata nuk do të bashkëpunojnë.