FLASH:

Hamas nis raund të ri negociatash për t’i dhënë fund luftës në Gaza, ndërsa Izraeli fillon ofensivë të madhe

Hamas njoftoi se negociatorët e saj kanë hapur një raund të ri bisedimesh me qëllim përfundimin e luftës në Gaza, vetëm disa orë pasi Izraeli nisi një ofensivë ushtarake të rëndësishme në territorin palestinez.

Taher al-Nounou, këshilltar i kreut të Hamas, u shpreh për BBC-në se negociatat kanë nisur zyrtarisht të shtunën në Doha, pa kushte paraprake nga të dyja palët dhe me të gjitha çështjet në tavolinë për diskutim.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, konfirmoi se negociatorët e Hamas po rikthehen në bisedime indirekte në Katar për të arritur një marrëveshje mbi çlirimin e të marrëve peng.

Katz e konsideroi këtë lëvizje si një “ndryshim nga pozicioni i ngurtë që Hamas kishte mbajtur deri më tani”.

Në të njëjtën kohë, ushtria izraelite njoftoi nisjen e “Operacionit Karrocat e Gideonit” — një referencë biblike — me qëllim marrjen e kontrollit mbi zona strategjike në Gaza dhe lirimin e pengjeve. Forcat izraelite paralajmëruan se nuk do të ndalen derisa “Hamas të mos jetë më kërcënim dhe të gjithë pengjet të kthehen në shtëpi”. Në 24 orët e fundit, Izraeli deklaroi se ka goditur mbi 150 objektiva terroriste në Gaza.

Sipas mediave izraelite, qëllimi i operacionit është të marrë dhe të mbajë terren, të zhvendosë civilët në jug të Gazës, të sulmojë Hamas dhe të ndalojë kontrollin e tij mbi ndihmat humanitare.

Mijëra ushtarë, përfshirë rezervistë, pritet të hyjnë në Gaza në ditët në vijim.

Izraeli ka vendosur një bllokadë ndihmash që nga marsi, pas përfundimit të armëpushimit dy mujor. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të premten se “shumë njerëz po vdesin urie” në Gaza.

Ndërkohë, shërbimet emergjente të Gazës raportuan mbi 300 viktima palestineze nga sulmet izraelite që nga e enjtja e kaluar, me të paktën 146 të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur në 24 orët e fundit.

Banorët në pjesë të ndryshme të veriut dhe qendrës së Gazës janë urdhëruar të largohen, por ndihmësit humanitarë paralajmërojnë se ky lëvizje është pothuajse e pamundur pasi shumë prej tyre janë bërë të pastrehë prej kohësh.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, shprehu alarm për ofensivën izraelite dhe kundërshtoi largimin e detyruar të popullsisë palestineze. Kreu i të drejtave të njeriut në OKB, Volker Türk, e quajti operacionin “një formë të pastrimit etnik”.

Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez dhe Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani kërkuan armëpushim të përhershëm për të ndalur vrasjet.

Në spitalin Nasser në Khan Younis, një kirurg britanik tha se personeli është i rraskapitur, fëmijët janë të dobët dhe vuajnë nga mungesa e ushqimit, ndërsa plagët e tyre janë më të rrezikuara nga infeksionet.

Një raport i OKB-së paralajmëron për rrezikun kritik të urisë në Gaza, ndërsa Izraeli vazhdon të mohojë mungesën e ushqimit në territor.

Lufta nisi në tetor 2023 pas sulmit të Hamas, ku u vranë rreth 1,200 njerëz dhe u morën peng 251 persona, prej të cilëve 58 mbeten të kapur ende nga grupi palestinez.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që kontrollohet nga Hamas, mbi 53,000 persona janë vrarë në territor që nga fillimi i konfliktit.