FLASH :

Hajdutët po “gjuajnë” Mercedes G-Class në Londër për këtë pjesë të shtrenjtë

Një valë e re vjedhjesh ka goditur Londrën, me hajdutët që kanë në shënjestër modelet luksoze Mercedes-Benz G-Class, të njohura si “G-Wagon” dhe të preferuara nga VIP-at dhe futbollistët. Pamjet e publikuara në rrjete sociale tregojnë gjashtë automjete të tilla, me çmim mbi 100 mijë paund secila, të dëmtuara nga tentativa për t’u marrë rrotën rezervë të montuar në pjesën e pasme.

Ky komponent përfshin një disk 22 inç me vlerë mbi 2,000 paund, gomë rezervë prej më shumë se 300 paund dhe kapak dekorativ që arrin deri në 1,000 paund, duke e bërë objektiv fitimprurës për të ashtuquajturit “car cannibals” – hajdutë që zhveshin automjetet nga pjesët më të vlefshme. Mercedes ka nisur të pajisë modelet e reja me bulona sigurie për rrotën rezervë, por pronarët e modeleve më të vjetra këshillohen të instalojnë mbrojtje shtesë dhe të parkojnë në mënyrë që të kufizojnë aksesin në pjesën e pasme të makinës. Autoritetet paralajmërojnë se ky trend po përhapet dhe mund të prekë edhe marka të tjera luksoze.