Një vjedhje spektakolare ka tronditur fshatin e pasur Prestbury në Cheshire të Anglisë, ku tre hajdutë kanë arritur të grabisin çanta luksoze me vlerë rreth 250 mijë paundësh nga butiku “Dress Cheshire”.
Grabitësit përdorën një metodë prej filmi: ata hynë fillimisht në një ndërtesë të braktisur ngjitur me dyqanin dhe hapën një vrimë prej 1 metër me 0.5 metra në mur, duke shpenzuar mbi një orë për të çarë përmes strukturës. Më pas, ata depërtuan edhe nga zona e oxhakut për të hyrë në dyqan.
Menaxherja e butik-ut, Christine Colbert, në një deklaratë prekëse në rrjete sociale, tha se ishte thellësisht e tronditur nga ngjarja:
“Jam absolutisht e shkatërruar. Na kanë vjedhur çantat më të bukura, me një vlerë prej çerek milioni paundësh. Ky ishte një krim i planifikuar dhe shumë i organizuar.”
Policia e Cheshire-s konfirmoi se po zhvillon hetime intensive dhe ka publikuar një apel për dëshmitarë, pamje nga kamerat e sigurisë dhe informacione mbi vendndodhjen e çantave të vjedhura.
“Po punojmë pa pushim për të identifikuar autorët dhe për të rikuperuar sendet e vjedhura,” tha oficerja Clare Slattery nga CID Macclesfield.
Ngjarja ka shkaktuar zemërim dhe keqardhje në komunitetin lokal, ku shumë klientë dhe banorë i kanë shprehur ngushëllime Colbert-it në rrjetet sociale.
“Falë Zotit që nuk ndodhi gjatë orarit të punës. Jemi me fat që ju jeni të sigurt,” shkroi një ndjekëse.
Pamjet e postuara online tregojnë dëmin e madh të shkaktuar nga vrima në mur, e cila shërbeu si hyrje për një nga grabitjet më të sofistikuara të raportuara në këtë zonë.
Ngjarja vjen në një kohë kur një analizë e MailOnline zbuloi se zonat me dyqane luksoze dhe shtëpi milionëshe, si ajo rreth Regent Street në Londër, janë kthyer në pika të nxehta të vjedhjeve në Angli dhe Uells.




