FLASH :

Gruaja më e moshuar në botë feston 116-vjetorin

Gruaja më e moshuar në botë, britanikja Ethel Caterham, festoi të enjten 116-vjetorin e lindjes, vetëm pak muaj pasi mori titullin pas vdekjes së murgeshës braziliane Inah Canabarro Lucas.

Caterham, e lindur më 21 gusht 1909 në Shipton Bellinger, në jugperëndim të Anglisë, e priti ditëlindjen në qetësi me familjen e saj në një qendër kujdesi në Surrey, në jug të Londrës.

“Ethel dhe familja e saj janë shumë mirënjohës për mesazhet e shumta dhe interesin që i është treguar”, deklaroi qendra Hallmark Care Homes.

Edhe pse nuk dha intervista për rastin, një bisedë me Mbretin Charles III mund të jetë përjashtimi i vetëm. Vjet, në 115-vjetorin e saj, ajo kishte marrë një letër urimi nga monarku britanik, i cili e cilësoi atë si një “moment historik vërtet të jashtëzakonshëm”.

Ethel Caterham është stërgjyshe, ka tre nipër e pesë stërnipër, ndërsa ka kaluar humbjen e bashkëshortit Norman që vdiq në vitin 1976 dhe të dy vajzave të saj. Ajo ka treguar se sekreti i jetëgjatësisë është i thjeshtë: “Nuk grindem me askënd. Dëgjoj dhe bëj atë që më pëlqen”.

Në jetën e saj ka përballuar ngjarje të mëdha historike, ka luajtur deri në pleqëri, ka ndaluar së drejtuari makinën vetëm pak para se të mbushte 100 vjeç dhe madje ka mbijetuar COVID-19 në moshën 110-vjeçare.

Sipas Guinness World Records, grupit kërkimor amerikan Gerontological Research Group dhe bazës LongeviQuest, Caterham është aktualisht njeriu më i moshuar në botë. Rekordin absolut e mban francezja Jeanne Calment, e cila jetoi 122 vjet e 164 ditë deri në vdekjen e saj më 1997.