Një incident i pazakontë ka ndodhur në Teksas, ku gruaja e një gjyqtari federal amerikan është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar bashkëshorten e një muzikanti skocez që po luante gajde në një park publik.
Ngjarja ndodhi më 26 maj në parkun Terry Hershey në Houston, ku Scott Gibb, muzikant nga Skocia, po praktikonte gajdet në një zonë të qetë të parkut. Por atmosfera u prish papritur kur një grua e quajtur Eunice Isgur, 76 vjeçe, u shfaq e revoltuar nga tingujt e instrumentit dhe filloi të bërtasë ndaj Gibb, duke i thënë se nuk kishte të drejtë të luante në park.
“Tha që do telefononte burrin e saj, një gjyqtar federal, që të më ndalonte”, tregoi Gibb për mediat lokale.
Teksa përplasja verbale po zhvillohej, bashkëshortja e muzikantit nisi të regjistronte me celular ngjarjen. Kjo e zemëroi edhe më shumë zonjën Isgur, e cila dyshohet se sulmoi fizikisht gruan duke e goditur në krah dhe përpjekur t’i rrëmbejë telefonin.
Sipas autoriteteve, Isgur më pas u përplas me tokën duke tentuar të marrë çantën e viktimës, dhe përfundoi me një sy të nxirë. Ajo u arrestua për veprën penale “Sulm që shkakton lëndim trupor” dhe u lirua më pas me një garanci prej 100 dollarësh.
Scott Gibb tha se kjo nuk ishte hera e parë që Isgur kishte shfaqur pakënaqësi për muzikën e tij, por ishte rasti i parë me përfundim të dhunshëm. “Nuk mund të lejojmë që njerëzit të jenë kaq të pasjellshëm dhe agresivë pa asnjë arsye,” u shpreh ai.
Ndërkohë, burri i të dyshuarës, gjyqtari federal Marvin Isgur, ndodhej në vendngjarje por nuk është akuzuar për asnjë veprim të paligjshëm.


