Amy Pugh, 34 vjeçe, është shpallur fajtore për vrasjen e bashkëshortit të saj Kyle Pugh, 30 vjeç, pasi e sulmoi brutalisht në shtëpinë familjare dhe më pas telefonoi shërbimet emergjente, duke pretenduar se e kishte gjetur të varur në kopsht.
Ngjarja ndodhi më 22 mars 2022 në Newport, Shropshire. Gjatë gjyqit në Gjykatën e Kurorës në Stafford, u dëgjua se Amy kishte thirrur fillimisht babanë e saj, dhe vetëm 20 minuta më vonë kishte telefonuar 999, pasi “kishte fituar epërsinë” në një përleshje me burrin e saj në kuzhinë.

Në telefonatë, ajo dëgjohet duke thënë: “Kyle, zgjohu, pse e bëre këtë?”, duke aluduar për vetëvrasje. Por ekspertiza mjeko-ligjore tregoi shenja dhune: shtypje në qafë, thyerje në hundë, orbitën e syrit dhe strukturën e qafës – plagë që nuk përputheshin me një vetëvarje.
Çifti, i ndarë në atë kohë, kishte një marrëdhënie të dhunshme dhe të paqëndrueshme, shpeshherë nën ndikimin e alkoolit dhe drogës. Kyle, i cili atë natë ndodhej në shtëpi për të vizituar fëmijët, ishte në një lidhje të re dhe sipas dëshmisë, Amy kishte humbur kontrollin kur mësoi se partnerja e tij e re mund të ishte shtatzënë.

Prokurori Julian Evans e quajti versionin e Amy-t një “trillim të plotë”, duke theksuar se ajo kishte përdorur cinikisht faktin që burri i saj kishte një histori me vetëlëndime për të maskuar vrasjen si vetëvrasje.

Pavarësisht tentativave të paramedikëve për ta shpëtuar, Kyle vdiq një ditë më vonë në spitalin Princess Royal në Telford.
Amy Pugh, që u pa e tronditur në bankën e të akuzuarve kur dëgjoi vendimin, do të dënohet më 5 shtator.