Tre shqiptarë – baba, bir dhe xhaxha – janë arrestuar nga autoritetet greke si autorë të dyshuar të vrasjes së noterës 69-vjeçare Mariza Tertseti Papadata, e cila u gjet e pajetë pranë banesës së saj në ishullin Zakynthos, në muajin shkurt.
Sipas Prothotema.gr, ngjarja është zbardhur pas hetimeve të Departamentit të Vrasjeve, ku një rol kyç ka luajtur rrëfimi i xhaxhait, banues në Nemea. Ai pranoi përfshirjen në ngjarje dhe tregoi detaje të planit për grabitje. Një ditë para krimit, kishte shkuar në Zakynthos për t’u bashkuar me të vëllain, me të cilin kishin planifikuar të grabisnin noteren, për të cilën kishin dijeni se mbante para në banesë.
Të maskuar me kapuçë, doreza dhe maska, ata i zunë pritë viktimës pranë shtëpisë. Gjatë përplasjes që pasoi rezistencën e saj, ajo u godit me thikë në kofshë dhe humbi jetën për shkak të një hemorragjie të madhe. Mjeku ligjor konfirmoi se plagët ishin shkaktuar nga një armë e mprehtë dhe se vdekja ndodhi brenda pak minutash.
Pas ngjarjes, autorët u larguan në këmbë për më shumë se një orë, deri sa u morën me makinë nga djali, që kishte rolin e shoferit. Rrobat e përgjakura u dogjën, ndërsa arma e krimit u zhduk. Vetëm babai nuk ka pranuar autorësinë e goditjes, ndryshe nga djali dhe vëllai, të cilët rrëfyen gjithçka. Autoritetet greke nuk kanë bërë ende publikë emrat e të arrestuarve.