FLASH :

Grekët rihapin me Ramën lojën e detit që Hoxha e kish mbyllur/ Kolonel Pashaj ku je?!

Greqia vazhdon të provokojë Shqipërinë me çështjen e delimitimit detar ndërmjet dy shteteve.

Nëpërmjet një harte të re, e cila duket se është një strategji kombëtare e shtetit helen, përcaktohen si zona detare greke, territore shqiptare, për të cilat dy vendet kanë vite që kanë mosmarrëveshje.

Në fakt, pretendimet dhe mosmarrëveshjet kanë lindur me rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri, kur shteti u kthye në një republikë bananesh gjatë tranzicionit raskapitës dhe kur grekët hynë dhe territorialisht në vendin tonë me forca ushtarake, në vitin 1997, gjoja me pretekstin për të mbrojtur pakicat greke gjatë anarkisë së vitit të mbrapshtë.

Gjithashtu, Greqia ka vazhduar të përfitojë sistematikisht nga gjendja e shtetit shqiptar me brekë nëpër këmbë pas komunizmit, duke infiltruar në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare një agjent të spiunazhit grek si i ndjeri Janullatos, i cili për mbi 3 dekada, punoi zellshëm për të helenizuar Shqipërinë kulturalisht dhe me fe’, deri në atë pikë sa krijoi dhe varre të rreme ushtarësh grekë në Jug, duke përdorur eshtrat e fshatarëve shqiptarë të Kosinës.

Hallka e tretë e misionit megallo-grek, e një irredentizmi të pashuare kurrë ndër nacionalistët ekstremë helenë, është çështja e detit. Ata desh e kullufitën një pjesë të mirë të tij në kohën e Sali Berishës, kur qeveria e këtij të fundit, pranoi një maskaradë, që do ti detyronte notuesit e plazheve në Dhërmi që t’i merrnin leje policisë kufirtare greke për t’u larë mbi 100 metra nga bregu.

Të njëjtën që po mundohen të bëjnë dhe me qeverinë Rama, pasi e vendosën këtë të fundit në pozitën e një fajtori për çështjen e Himarës, tani po e intimidojnë me detin, në mënyrë që ai si nxënës i mirë vetëm të pranojë vullnetin grek, nëse nuk dëshiron një bllokadë në procesin final të integrimit në BE.

Heshtja e deritanishme e Ramës është një sinjal alarmi për këtë.

Regjimi komunist, i cili veproi në mënyrë gjakatare me kundërshtarët politikë, si dhe rrënoi dinjitetin dhe ekonominë e çdo shqiptari, kur vinte puna te interesi kombëtar, qoftë për egon personale të ruajtjes së pushtetit të diktatorit, nuk çedonte.

Kur greket tentuan gjatë provokacioneve të Bilishtit më 1949 që të mësynin në territor shqiptar, ata lanë eshtrat aty.

Jo vetëm grekët, por kur një anije britanike hyri në ujërat territoriale shqiptare fill pas Luftës së Dytë Botërore, ajo ra në disa mina të vendosura aty nga komunistët jugosllavë në bashkëpunim me Hoxhën, duke shkaktuar një dramë njerëzore.

Pas kësaj, gjatë kohës së komunizmit, kufiri detar ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë, ishte mëse i rregulluar dhe i njohur. Ashti sikurse Greqia kishte pranuar koordinatat tokësore të kufirit shqiptar, kishte pranuar edhe ato detare. Asnjë motoskaf grek, nuk guxoi të shkonte përtej vijës së rënë dakord mes dy shteteve dhe asnjë qyte mitralozi nuk bëri një qitje të vetme.

Sakaq, pas rënies së komunizmit, grekët rihapën lojën dhe provokimet detare, duke përfituar nga një klasë politike shqiptare e korruptueshme dhe me moral që lë shumë për të diskutuar.

Në këtë pikë, s’na mbetet gjë tjetër veçse të ngremë pyetjen, ku është Kolonel Myslim Pashaj, një fajkua i mbrojtjes së detit tonë, kur në qeveri nuk ishte Rama?