Gratë e pastreha në verilindje të Anglisë po kërkojnë me ngulm më shumë shërbime dhe strehëza vetëm për femra, pasi thonë se hostelet e përziera shpesh janë “të pamëshirshme” dhe “të frikshme”.
Jay, e cila një kohë u vendos në një hostel të përzier në Sunderland, tregoi se brenda javës së parë tre burra u nxorën prej andej me qese mortore. “Ishte e tmerrshme. Çdo ditë luftoja për të mbijetuar,” tha ajo, duke shtuar se mungesa e kontrolleve të thelluara për banorët e rinj e bënte edhe më të rrezikshme. Ajo thekson se veçanërisht viktimat e dhunës në familje kanë nevojë për akomodim vetëm për gra.
Një tjetër grua, Leanne, pranoi se kishte kaluar muaj të tërë duke fjetur në divane të të njohurve, nga frika e rikthimit në hostel pas një përvoje traumatike. “Më thërrisnin ‘gruaja e çantave’, sepse gjithmonë i mbaja me vete të gjitha sendet,” rrëfeu ajo.
Sipas Shelter North East, numri i grave që flenë rrugëve në rajon është rritur me 425% në pesë vite, por shumë mbeten jashtë statistikave zyrtare pasi shmangin rrugët dhe hostelet. Shumë zgjedhin të kalojnë netët në makina, spitale, fast-food apo edhe të qëndrojnë pranë abuzuesve, pasi kjo duket më e sigurt se të flenë në një derë të hapur.
Aktualisht, shumica e autoriteteve vendore në verilindje ofrojnë vetëm shtretër në hostelet e përziera, ndërsa disa nuk kanë fare strehëza për femra. Për këtë arsye, këtë vit Census-i i Grave të Pastreha do të zgjerohet për herë të parë edhe në Newcastle, Gateshead dhe South Tyneside, për të nxjerrë një pasqyrë më të qartë të problemit.
Rezultatet, që pritet të publikohen në tetor, pritet të rrisin presionin mbi qeverinë për më shumë fonde. Një zëdhënës i Ministrisë së Strehimit tha se po investohen 1 miliard £ në shërbime jetike, duke e cilësuar këtë si “hapin e parë drejt eliminimit të pastrehësisë njëherë e përgjithmonë”.







