FLASH :

Grand Theft Auto VI shtyhet për në maj 2026: Rockstar kërkon më shumë kohë për të ofruar cilësinë që fansat meritojnë

Një nga lojërat më të pritura të dekadës, “Grand Theft Auto VI”, nuk do të dalë më në vjeshtën e vitit 2025. Rockstar Games njoftoi se publikimi i lojës do të shtyhet për në 26 maj 2026, me arsyetimin se ekipi zhvillues ka nevojë për më shumë kohë për të përmbushur pritshmëritë e larta të fansave.

Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Rockstar Games, studioja kërkon ndjesë për vonesën:

“Na vjen shumë keq që është më vonë nga sa kishit pritur. Interesi dhe emocionet për një Grand Theft Auto të ri kanë qenë vërtet mbresëlënëse për të gjithë ekipin tonë. Ju falënderojmë për mbështetjen dhe durimin tuaj teksa punojmë për të përfunduar lojën. Me çdo lojë që kemi publikuar, qëllimi ka qenë gjithmonë të tejkalojmë pritshmëritë tuaja, dhe Grand Theft Auto VI nuk bën përjashtim. Shpresojmë të na kuptoni që na duhet kjo kohë shtesë për të ofruar cilësinë që ju prisni dhe meritoni.”

Zbulimet e pakta, pritshmëritë e larta

Prej publikimit të trailerit të parë në dhjetor 2023, Rockstar ka qenë tepër diskrete për detajet e GTA VI. Dihet se loja do të jetë e vendosur në Vice City dhe do të sjellë për herë të parë një protagoniste femër, Lucian, në një histori të frymëzuar nga Bonnie dhe Clyde.

Shpresat janë që më shumë informacion të zbulohet gjatë prezantimit të rezultateve financiare të kompanisë mëmë, Take-Two Interactive, më 15 maj. Por lajmi i sotëm ka pasur efekt të menjëhershëm në bursë: çmimi i aksioneve të Take-Two ra me 8 përqind në tregtimin paraprak në NASDAQ.

GTA V ende dominon

Ndërkohë, Grand Theft Auto V vijon të jetë një fenomen botëror, edhe pas 11 vitesh nga publikimi i tij. Loja mbajti vendin e parë në Twitch si loja më e shikuar e vitit 2024, një dëshmi e ndikimit të vazhdueshëm të sagës GTA në industrinë e videolojërave.