Situata alarmante shëndetësore është konfirmuar në Kopshtin Publik Nr. 1 në Gramsh, ku 14 persona – mes tyre fëmijë dhe staf – kanë rezultuar pozitivë me infeksionin “Salmonella Enteritidis”, i shkaktuar nga ushqimi i kontaminuar. Lajmi bëhet i ditur përmes një emaili, ku Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) Gramsh njofton për përhapjen e infeksionit në institucionin parashkollor.
Sipas njoftimit zyrtar, nga 79 persona të testuar, 14 kanë rezultuar pozitivë – 5 raste të konfirmuara përmes simptomave dhe 9 të tjera përmes depistimit aktiv. Aktualisht, 6 analiza janë ende në pritje të rezultatit.
Simptoma shqetësuese dhe thirrje për vigjilencë
Fëmijët e prekur janë paraqitur me simptoma gastrointestinale si diarre, të vjella, temperaturë dhe dobësi të përgjithshme. Strukturat mjekësore lokale janë udhëzuar të ushtrojnë kujdes të shtuar për menaxhimin e situatës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme.
NJVKSH Gramsh u bën thirrje të gjitha qendrave shëndetësore dhe Spitalit Bashkiak për:
- Raportimin e menjëhershëm të çdo rasti të dyshuar;
- Vëzhgimin nga afër të gjendjes shëndetësore të fëmijëve, si të prekurve, ashtu edhe atyre që kanë rezultuar negativë;
- Informimin e komunitetit mbi rëndësinë e higjienës personale dhe sigurinë ushqimore;
- Bashkëpunim maksimal për të kufizuar rrezikun e infeksionit.
Drejtore e NJVKSH Gramsh, Besmira Bracja, kërkon “seriozitet dhe profesionalizëm maksimal për përballimin e situatës”.
Ky është rasti i dytë që trondit institucionin parashkollor në më pak se një javë, pas raportimeve të mëparshme për helmim masiv, çka ngre dyshime serioze mbi standardet e sigurisë ushqimore dhe procedurat e kontrollit në institucionet publike.

