Google është urdhëruar t’u paguajë më shumë se 425 milionë dollarë përdoruesve amerikanë pas një padie kolektive.
Rasti lidhet me pretendimin se disa të dhëna nga përdoruesit që kishin çaktivizuar mbledhjen e të dhënave në web dhe aplikacione në cilësimet e Google, arrinin te kompania përmes shërbimeve dhe faqeve të tjera.
Për jurinë në San Françisko kjo nënkuptonte se Google po shkel privatësinë e përdoruesve. Njëkohësisht, ata nuk e konsideruan sjelljen e qëllimshme, gjë që do të kishte rritur shumën e dëmshpërblimit.
Padia për marrjen e të dhënave, përfshin periudhën nga korriku 2016 deri në shtator 2024.
Pothuajse 55 milionë përdorues të dëmtuar të pajisjeve me sistemin operativ Android të Google kanë të drejtë për mbi 247 milionë dollarë sipas vendimit të jurisë.
Për 56,6 milionë përdorues të sistemeve të tjera operative, shuma e vlerësuar është 178,5 milionë dollarë.
Në SHBA nuk është e rrallë që vendimet e jurisë të reduktohen të paktën pjesërisht gjatë apelimeve.
Google kritikoi vendimin, duke e konsideruar si një “keqkuptim të mënyrës se si funksionojnë produktet tona” dhe planifikon ta apelojë vendimin
Kompania tha se të dhënat e transmetuara nuk ishin të personalizuara. Informacioni nga faqet dhe shërbimet e tjera është i destinuar për të ndihmuar në përshtatjen e reklamave të shfaqura individualisht në Google, tha kompania.

 
								 
								 
								










