FLASH :

Video/Goditje e fortë ndaj krimit të organizuar: Arrestohet në Britani Lorenc Lala, ekstradohen nga Dubai tre shqiptarë të tjerë të rrezikshëm

Policia e Shtetit ka njoftuar arrestimin në Mbretërinë e Bashkuar të shtetasit shqiptar Lorenc Lala, 48 vjeç, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i kërkuar për vrasje për gjakmarrje dhe përfshirje në një grup të strukturuar kriminal. Lala u kap në Manchester si rezultat i operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, në bashkëpunim mes Interpol Tiranës dhe Interpol Manchester.

Ai është i dyshuar si organizator dhe financues i vrasjes së Albi Bashaliut në fshatin Gjocaj të Peqinit në vitin 2021. Emri i Lalës ka dalë nga dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani, anëtar i grupit kriminal të Laert Haxhiut. Sipas autoriteteve, Lala ka siguruar mjetet për kryerjen e vrasjes dhe ka ndihmuar autorët për t’u larguar nga vendngjarja.

Në një tjetër zhvillim, vijon bashkëpunimi i ngushtë mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe. Tre shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar u ekstraduan nga Dubai drejt Shqipërisë, gjithashtu në kuadër të operacionit “The Wanted”. Të ekstraduarit – E.D. (38 vjeç), M.K. (39 vjeç) dhe A.Xh. (40 vjeç) – janë të akuzuar për vepra të rënda si “vrasje me paramendim”, “sigurim kushtesh për vrasje”, “mbajtje armësh pa leje” dhe “përkrahje e autorit të krimit”, në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale.

Të tre të arrestuarit iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ndërsa për Lorenc Lalën po vijojnë procedurat për ekstradimin e tij nga Britania drejt Shqipërisë. Këto operacione përbëjnë një sinjal të fortë për bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe rikthimin e personave të shumëkërkuar para drejtësisë shqiptare.